Humbi jetën nga sherri me bashkëmoshatarët në Gramsh/ Prokuroria zbardh detajet tronditëse, ja çfarë u gjet në vendngjarje

Fatjon Bici, 15-vjeçari nga Gramshi humbi jetën të martën (16 maj 2023) e kësaj jave mes adoleshentësh teksa mori një thikë në zemër.

Policia ka ndaluar autorin e ngjarjes, ndërsa ka detajuar në dosjen hetimore edhe si ndodhi ngjarja si edhe çfarë u gjet në lulishten ku u përplasen grupet e të rinjve.

Mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy thika, ndërsa prokurorët kanë mësuar se të rinjtë ishin përgatitur për sherr që me herët duke shkuar në vendin e ngjarjes me doreza dhe thika.

Në dosje e Prokurorisë thuhet:

Vendi i arrestimit të dy adoleshentëve të lidhur me ngjarjen në lagjen Holtas, në Gramsh, konkretisht vendi i quajtur ish-Poligoni i Ndërtimit, është inspektuar me qëllim fiksimin e provave materiale. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë gjendur dy thika, ku njëra është në ngjyrë metalizato dhe një pjesë ngjyrë gri.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjithashtu dy doreza përforcuese grushti, ngjyrë si të bronzit. Në tokë u gjet një tjetër thikë metalike, ndërsa në tehun e saj janë evidentuar njolla të kuqerremta, në ngjyrë si të gjakut. Kjo thikë është hedhur në këtë vend nga autorët e dyshuar, në momentin që këta persona po ndiqeshin nga policia.

Të gjitha këto prova janë marrë dhe sekuestruar në cilësinë për ekspertime të mëtejshme. Nga kontrolli i mëtejshëm i vendit të ngjarjes, nuk u gjetën sende apo prova të tjera që të lidhen me ngjarjen. Këqyrja e vendit të ngjarjes u shoqëruar me fotografitë kriminalistike.

Po kështu, është bërë këqyrja e vendit ku ka ndodhur konflikti ndërmjet viktimave dhe autorëve të dyshuar. Vendi i ngjarjes është këndi sportiv (sheshi i basketbollit) në lagjen “Sporti 2”, në qytetin e Gramshit, janë dalluar disa njolla gjaku.

Në vendin e ngjarjes u gjet çanta e shkollës e viktimës, në të cilën gjenden artikuj të ndryshëm me emrin e tij, një xhiboks ngjyrë blu. Në dëshminë e autorit të dyshuar se ka qëlluar me thikë viktimën, i mituri thotë se ka shkuar në shkollë si zakonisht me 3 shokët e tij.

Ai ka thënë se që të katërt ata, rreth tre muaj më parë janë zënë tek fusha e lodrave, tek makinat elektrike në qytetin e Gramshit, me një grup djemsh. Kur kanë qenë tek fusha e lodrave janë sharë me njëri-tjetrin, gjithashtu edhe herë të tjera kur janë shkëmbyer janë sharë.

Autori thotë se së bashku me tre shokët e tij kanë vendosur që të shkonin ta takonim personin që kishin konflikt dhe shokët e tij që ta sqaronin një herë e mirë këtë muhabet. Me vetë kishin edhe doreza hekuri dhe thika. Nga shkolla e tyre në fshat shkojnë në qytet. Ata kanë shkuar në shkollën e grupit të viktimës dhe kanë filluar me debatin.