“Më ofendonte”, lihet në burg 58-vjeçari që vrau kunatën me sëpatë, dëshmia e babait të 44-vjeçares

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 58-vjeçarin Tefik Tashi, i cili vrau me sëpatë motrën e gruas.

Gjyqtarja Matilda Fetau pranoi kërkesën e Prokurores Pranvera Stafa duke e lënë në burg Tashin tre ditë pas krimit të rëndë në fshatin Kusarth të Elbasanit që tronditi vendin.

Alma Qevani, 44 vjeçe u godit për vdekje me sëpatë nga bashkëshorti i motrës së saj pas një debati banal. “Kishte kohë që më ofendonte, nuk munda ta duroj dot, më ofendonte sa herë… madje edhe në prani të familjarëve”, mësohet të këtë thënë ai.

58-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur në momentin e krimit ndërsa pas arrestimit u tha hetuesve se Alma e kishte sharë dhe kjo ishte arsyeja që e kishte nxehur dhe e kishte goditur.

Babai i viktimës, Fatmiri ka treguar për News 24 se disa ditë para ngjarjes së rëndë, kanë pasur debate të forta mes tyre.

“Vetëm dy ditë më parë para se të ndodhte ngjarja ka pasur një debat të fortë, mes Tefik Tashit dhe kunatës së tij”, ka thënë ai.

Babai i viktimës, Fatimiri: “Tefiku erdhi nga puna dhe i thotë ku janë vajzat,. Ato ishin me delet. A e ka telefonin Alma?- pyeti me inat. I thamë nuk dimë gjë. Unë e pashë se çfarë mori. Por më vonë vajza tjetër më thotë baba, e vranë Almën, e pyes çfarë ndodhi? Më thotë e vrau sepse nuk hapi telefonin. Në datën 12 Alma thirri vajzën tjetër për të bërë punët, ky në atë moment Tefiku del në dritare dhe e shan me fjalë të rënda. Marrëdhënia e Almës me Tefikun nuk ka qenë e vështirë…”