Policia jep detaje për përplasjen e makinës me autobusin. U plagosën shoferi dhe 5 pasagjerë

Policia jep detaje rreth aksidentit që ndodhi pasditen e sotme në Qafëthanë, ku pas përplasjes së një mjeti tip benz me autobuzin, mjeti shpërtheu në flakë dhe u plagosën shoferi dhe 5 pasagjerë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas, autobusi që drejtohej nga I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec – Prrenjas, është përplasur me automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit.

Si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.

Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga I. A.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.