37-vjeçari vrau ish-gruan shqiptare në Gjermani. Familjarët e 28-vjeçares: U ndanë 2 muaj më parë

Kjo është Jetmira Beka, 28-vjeçarja nga Kosova që u masakrua me thikë nga ish-bashkëshorti në qytetin Achen të Gjermanisë. Krimi i rëndë ndodhi të shtunën në parkingun e një qendre tregtare, ku 28-vjeçarja ndodhej së bashku me të motrën kur u takua me ish-bashkëshortin Besmir Ademi.

Dëshmitarët që panë aktin e përgjakshëm në parking, lajmëruan policinë dhe ekipet e shpëtimit. Mirëpo, të gjitha përpjekjet për t’i shpëtuar jetën 28-vjeçares ishin pa rezultat.

Disa orë pas ngjarjes, 37-vjeçari Ademi u vetëdorëzua në polici. Aktualisht hetuesit gjermanë po fokusohen tek konfliktet familjare pas divorcit.

Beka dhe Ademi që të dy nga Mitrovica e Kosovës kishin tre fëmijë. Familjarët e së ndjerës në mediat e Kosovës kanë deklaruar Jetmira kishte dy muaj që ishte ndarë nga Ademi, duke e karakterizuar atë si tejet të dhunshëm dhe që i ka kërcënuar disa herë me vrasjen e të afërmve dhe fëmijës së Bekës.

Autori i kësaj ngjarje të rëndë pritet të dalë para gjykatës ditën e dielë. Ndërsa e ndjera pritet të varroset në vendin e saj të lindjes, në Zasellë të Mitrovicës.

Tv Klan