Po udhëtonte me vëllain dhe shokët, ky është 17-vjeçari që humbi jetën në Baldushk

Mbrëmjen e kaluar një 17-vjeçar u aksidentua për vdekje në Baldushk, Tiranë pasi humbi kontrollin e mjetit tip ‘Benz’ me të cilin po udhëtonte.

17-vjeçari Shyqeri Vrapi ishte duke udhëtuar me vëllain dhe dy shokë të tij kur në kthesë ka humbur drejtimin e makinës dhe është përplasur me bordurat anësore.

Nga ky aksident 17-vjeçari që lëvizte pa patentë humbi jetën në vendngjarje, ndërsa vëllai dhe shokët e tij u plagosën lehtë.

Ka dyshime se shkak për këtë aksident tragjik është bërë shpejtësia tej normave të lejuara gjatë momentit që makina ka hyrë në këtë kthesë.

Kjo nuk është hera e parë që të miturit marrin makinat e të afërmve, lëvizin pa patentë dhe shkaktojnë aksidente në disa raste edhe tragjike.

Kujtojmë se pak javë më parë, në Lezhë një 14-vjeçar përplasi për vdekje një 60-vjeçar pasi po lëvizte me makinën e babait. Edhe në Poliçan, rreth një muaj më parë 15-vjeçari Afisaldo Zylyftari humbi jetën pasi vëllai i tij 15-vjeçar Francesko humbi kontrollin e automjetit “Alfa Romeo” me të cilën po lëvizte. Nga ky aksident mbeti i plagosur vetë shoferi 15-vjeçar dhe dy vajza të mitura.

Aksidente të tilla duket se do shtohen edhe më tepër nëse autoritetet përkatëse nuk reagojnë dhe nuk marrin masa.