“Kur e pashë që ishte aty i thashë shokut më lër këtu dhe…”- Habib Rexha tregon si e vrau Arjan Gosën: Nuk e kisha të planifikuar! Ja ku shkova pasi bëra krimin

Autori i krimit të rëndë në Kavajë, Habib Rexha i dha fund arratisë ditën e djeshme, rreth dy ditë pas kryerjes së vrasjes në shenjë hakmarrjeje. Habib Rexha, 31 vjeç, u vetëdorëzua, pas negociatave të vazhdueshme të Policisë, gjatë dy ditëve të fundit me familjen e tij, por edhe në pamundësi për t’u larguar nga vendi.

31-vjeçari që ekzekutoi për hakmarrje me një plumb në kokë Arjan Gosën do të përballet me drejtësinë për krimin e kryer pasditen e vonë të së dielës në Kavajë.

Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me të atin, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen. 78-vjeçari Osman Gosa në më pak se dy muaj humbi dy djemtë e tij, Edmondin 43 vjeç dhe Arianin 48.

I tronditur nga gjithçka përjetoi në moshë të thyer, Osman Gosa nuk e kishte menduar se do të humbiste dhe djalin tjetër si pasojë e krimit në të cilin u përfshi i biri Edmondi dhe që i mori jetën. Vëllai i Habibit, Altin Rexha u qëllua nga Edmond Gosa në prani të djalit të mitur, teksa po kthehej në shtëpi me të. Meqë të dyja palët e përfshira në konfliktin e 29 marsit, Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëritjetrin, familja Gosa nga Kavaja nuk e kishte dyshuar hakmarrjen, që nuk vonoi.

DËSHMIA E REXHËS

“Kam qenë në makinë me shokun tim. Rastësisht u ndodhëm në të njëjtën zonë me ta dhe nuk kisha të planifikuar asgjë. Por kur e pashë që ishte aty i thashë shokut më lër këtu dhe më prit pak më larg. Ai nuk dinte asgjë. Më tha po dhe unë zbrita ai u largua. Pasi e vrava, kam shkuar te makina dhe kam lëvizur deri në dalje të Kavajës. Më pas jam larguar”. Kjo është një pjesë e dëshmisë së Habib Rexhës dhënë menjëherë pas dorëzimit në Policinë e Durrësit. Ai ka treguar detaje të atij momenti kur është përballur me babë e bir dhe më pas “arratinë” e tij, duke treguar se për asnjë moment nuk kishte vendosur të largohej për ndonjë vend tjetër. Familjarët mësohet se i kërkuan kohë policisë për shkak se i druheshin temperamentit të tij. Habib Rexha në fakt nuk është ndonjë emër i skeduar deri në atë moment fatal të jetës së tyre që kulmoi me 29 marsin e këtij viti!