Parandalohet vrasja në Elbasan, dalin detaje nga ngjarja

Një ngjarje kriminale është parandaluar paraditen e kësaj të premteje në qytetin e Elbasanit.

Policia kriminale ka marrë informacione se mund të ndodhte një vrasje dhe menjëherë është vënë në lëvizje duke shkuar në afërsi të zonës së quajtur ish Sporti i Vjetër.

Sapo ka parë policinë në zonë poseduesi i armës tip kallashnikov dyshohet se e ka hedhur atë përtokë dhe është larguar në drejtim të paditur.

Blutë kanë mundur të sekuestrojnë armën e zjarrit me fishekë në fole gati për qitje. Policia është mjaft e rezervuar në lidhje me ngjarjen. Burime bëjnë me dije se janë kryer veprimet hetimore dhe është identifikuar autori i cili rezulton të jetë një 23 vjeçar me iniciale B.R. I riu është shpallur në kërkim sipas burimeve.

Gjithashtu policia ka arrestuar edhe një person tjetër i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen, emri i të cilit për arsye hetimore ende nuk bëhet i ditur.

Në bashkëpunim me prokurorinë e Elbasanit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje kriminale.