Panik në ajër, pasagjeri hap derën e avionit dhe tenton të hidhet (Video)

Një 33-vjeçar është arrestuar në Korenë e Jugut pasi hapi derën e avionit, ndërkohë që ishte në ajër. Avioni Airbus A321-200, ishte nisur nga ishulli Jeju ditën e premte rreth orës 11:45 me orën lokale.

Gjatë kohës që avioni po ulej në aeroport, një pasagjer hapi derën e urgjencës kur avioni ishte akoma 250 metra nga toka. Sipas medieve lokale, disa pasagjerëve u ra të fiktë, ndërsa disa të tjerë kishin probleme me frymëmarrjen, si pasojë e nivelit të ulët të oksigjenit që shkaktoi hapja e derës.

Dëshmitarët thanë për autoritetet koreane se stjuardesat nuk mundën ta ndalonin sepse avioni ishte duke u ulur. Ata thanë gjithashtu se pasagjeri tentoi të hidhej nga avioni pasi hapi derën.

“Ishte kaos me njerëzit afër derës që dukej se u ra të fiktë një nga një dhe stjuardesat që thërrisnin mjekët në bord përmes transmetimit”, u shpreh një nga pasagjerët për Yonhap.

Ai shtoi më pas: “Mendova se avioni do shpërthente. Mendova se do të vdisja kështu”. Policia tha se i dyshuari nuk kishte dhënë ndonjë shpjegim deri tani për veprimet e tij dhe nuk u konstatua as në gjendje të dehur.

“Është e vështirë të bësh një bisedë normale me të. Do të hetojmë motivin e krimit dhe do ta ndëshkojmë”, tha një zyrtar i policisë vendase.