“Më rrezikohet jeta nga Aldo Bare”, u kap në Janinë, Laert Haxhiu refuzon të ekstradohet drejt Shqipërisë

Laert Haxhiu i cili u arrestua pak ditë më parë në Janinë, ka mohuar që të të jetë autor i masakrës së Lushnjës me dy të vrarë.

Ai ka dalë para gjykatës ditën e djeshme ku është njohur me akuzat e ngritura ndaj tij, si dhe me urdhër-arrestin e lëshuar nga Shqipëria. Mësohet se 31 vjeçari ka thënë para gjykatëse se nuk mund të urdhërojnë ekstradimin në Shqipëri, pasi sipas tij, i rrezikohet jeta nga banda e Aldo Bares.

Gjykata e Janinës ka dhënë masën “ arrest me burg” me 40 ditë afat për 31-vjeçarin Laert Haxhiu në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për esktradim. Ndërkohë, sipas mediave vendase mësohet se është liruar nga tre akuzat në shtetin grek që rëndonin mbi të, që ishin falsifikimi i pasaportës, kundërshtim me dhunë i punonjësve të policisë dhe kalim i paligjshëm i kufirit, të kryera në Greqi.

Kujtojmë se Haxhiu është i akuzuar për vrasjet e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ndodhur 6 vite më parë në qytetin e Lushnjes. Në vitin 2017 Gjykata e Lushnjës, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vite burg, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Vrasja e njohur si Masakra e Lushnjës – Tetor 2017

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me burg të përjetshëm Orges Bilbilin e Anterio Kaloshin, autorë të masakrës së Lushnjes, ngjarje e ndodhur në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha e Zamir Latifi, dhe shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares).

Të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë, Bujar Turku e Marius Xhepexhiu.Personi i tretë i cilësuar nga drejtësia shqiptare si autor në këtë masakër, Laert Haxhiu, është shpallur në kërkim dhe deri tani nuk ka mundur të arrestohet.

Gjyqi ndaj tij vazhdon në mungesë, duke qenë se Policia nuk ka qenë në gjendje ta gjente dhe ta prangoset.Prokuroria e Posaçme SPAK, i akuzon të tre si pjesëmarrës në grup kriminal dhe autorë të disa vrasjeve me paramendim në zonën e Lushnjes, por jo vetëm.