“Ka nevojë urgjente për transplant…”, u plagos dy javë më parë me kallashnikov, 24-vjeçari nga Tiranë humb njërën këmbë

I plagosur dy javë më parë në Kuçovë, i riu po lufton me vdekjen në spital, familjarët e tij bëjnë apel për ndihmë pasi 24-vjeçari Donald Grymshi ka nevojë për transplant veshke.

Sherri mes disa të rinjve mbrëmjen e 26 Majit në qytetin e Kuçovës i ka kushtuar shtrenjtë 24-vjeçarit që u plagos nga kuçovarët me kallashnikov.

I riu nga Tirana Donald Grymshi u plagos dy javë më parë në lagjen “1 Maji” në Kuçovë nga katër të rinjtë: Ledio Serdari, Albion Thoma, Vasil Prendi dhe Arben Tabaku, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.

Ai u transportua në gjendje të rëndë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi mori ndihmë e parë mjekësore u transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi kishte humbur shumë gjak. Për shkak të gjendjes së tij kritike për jetën 24-vjeçari u transportua dy ditë më pas në një spital në Turqi dhe mësohet se po lufton me vdekjen.

Donald Grymshi mori dy plumba kallashnikovi, një në shpatull dhe një në kofshë dhe ky i fundit mësohet se i ka prekur aortën kryesore dhe veshkat. Sipas familjarëve, i riu ka humbur njërën nga këmbët, ndërkohë që ka nevojë emergjente pët transplant veshke.

Ka qënë babai i tij Arben Grymshi, ai që u ka bërë apel për ndihmë qytetarëve në rrjetet sociale, për të shpëtuar jetën e djalit. E ndërsa 24-vjeçari i plagosur Donald Gryshmi është duke luftuar me vdekjen në spital, asnjë prej autorëve të plagosjes së tij nuk ka rënë ende në pragat e policisë.

Burimet policore nuk kanë ende të qartë edhe shkaqet e sherrit mes të rinjve, që supozohet se mund të ketë nisur për një vajzë.