Sibora u vra me 4 goditje thike pas shpine, italiani e murosi bashkë me një tufë me lule

Rezultati i testit të ADN nuk ka dalë ende, por të gjitha elementet për të zbardhur identitetin e trupit të gjetur në fshehur në murin e shtëpisë në Torremolinos të Spanjës, fatkeqësisht të çojnë tek Sibora Gagani.

Ajo ishte larguar nga Roma me Marco Romeo-n, të fejuarin e saj në atë kohë dhe vrasësin e dyshuar dhe rezultonte e zhdukur prej 9 vitesh.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane elementët që i çojnë hetuesit të besojnë se bëhet fjalë pikërisht për të janë struktura trupore, tatuazhi, veshja që mbante në momentin e zhdukjes dhe një çantë që i përkiste, e cila po ashtu u gjet në shtëpi, e fshehur në mur.

Kësaj i shtohet edhe rrëfimi spontan i 45-vjeçarit, që i tregoi policisë spanjolle edhe vendin ku e kishte fshehur trupin, ndonëse më pas u tërhoq nga kjo dëshmi.

Gjithçka duket se të çon tek fakti se trupi i gjetur i përket Siborës, vajzën italo-shqiptare, vetëm 22-vjeçe, e cila u zhduk në këtë vend në 2014-n, pasi i kishte dhënë fund lidhjes me Marco-n.

Nga hetimet, sipas asaj që raportojnë mediat fqinje, rezulton se ajo është goditur 4 herë në kurriz, me thikën që u gjet në të njëjtin vend ku ishte murosur e ku ka ende shenja gjaku. Ekzaminimi i veshjes dhe ekspertiza mjeko-ligjore e kufomës zbuluan praninë e të paktën 4 goditjeve me thikë në pjesën e pasme të bustit, që tregojnë jo vetëm për shkakun e vdekjes, por edhe një sjellje seriale të Marco-s që vrau edhe partneren tjetër që e la: Paula. Ishte pikërisht arrestimi për këtë vrasje që çoi në zbulimin e fundit të tmerrshëm të Siborës.

Trupin Marco e kishte fshehur në shtëpinë ku kishte jetuar me 22-vjeçaren. E kishte futur në një kuti prej druri, e kishte mbështjellë me plastikë dhe e kishte mbuluar me rërë dhe gëlqere. Pranë trupit u gjet po ashtu edhe një çantë kampingu dhe një buqetë me lule.

Tashmë autoritetet spanjolle po hetojnë mbi jetën kriminale të italianit, i njohur edhe për krime që lidheshin me konsumin e drogës./tvklan.al