Plazhi më i madh në Detin Jon, Borshi preferohet për çmimet e lira

Vija më e gjatë bregdetare në detin Jon, prej më shumë se 7 km gjendet në fshatin e Borshit. Deti dhe mali pranë, duke sikur krijojnë formulën e duhur për të joshur turistët që të zgjedhin këtë vend për të pushuar.

“Jam nga Portugalia dhe kam ardhur me familjen time këtu në Borsh, më pëlqen shumë Shqipëria, jam duke e shijuar shumë këtu, gjithçka është e mrekullueshme, natyra fantasike dhe ushqimi i freskët dhe çmimet shumë në rregull, për ne njëlloj si ne Portugali”, deklaroi një turist për kamerën e Euronews.

Bukuritë natyrore dhe deti i pastër janë arsyet kryesore përse kjo e re portugeze së bashku me familjen e saj kanë zgjedhur Borshin, por mikpritja që kanë gjetur i ka surprizuar.

“Mendoj që këtu është një plazh i mrekullueshëm me një ujë të pastër dhe të ngrohtë, dhe është një vend shumë i mirë për t’u relaksuar… Është çdo gjë shumë mirë këtu, ne jemi me familjen në shezlonget tona , dhe kemi çdo gjë që na duhet, servisi është shumë i mirë, na mjafton vetëm që ta kërkojmë dhe kemi çdo gjë që na duhet”, deklaroi e reja nga Portugalia.

Prenotimet në njësitë akomoduese në Borsh në këtë mes qershori janë në masën 70%. Menaxheri i një hoteli në këtë zonë tregon se bëhet shpërndarja e turistëve sipas muajve të verës.

ALtin Çelaj, menaxher i një hoteli në Borsh tha: “Janë thuajse të mbyllura për muajt korrik e gusht deri në 20 shtator. Në korrik mbizotërojnë kryesisht klientë që vijnë nga Kosova, Italia e Gjermania. Pastaj gushti deri në 20 shtator u përket pushuesve nga Tirana dhe rrethet”.

Altini na tregon se cfarë u pëlqen më shumë turistëve në Borsh. Madje ai shton se vitet e fundit, kjo zonë po frekuentohet shumë nga të huajt.

“Këtë vit kemi pasur një fluks të të husëve, të cilët kanë kryesisht spanjoll, gjerman, polak e italian. Ajo që bje në sy është fakti që mahniten nga natyra, nga bukuria e detit, kënaqen nga ushqimet tona përpiqemi që t’i kemi sa më cilësore, shërbimi të jetë në lartësinë e duhur. Fundjavat punojnë me klient që vijnë nga Tirana, por nuk mungojnë edhe shqiptarët e Kosovës kryesisht ata që jetojnë në Gjermani e Suedi”, vijoi Çelaj.

Borshi, falë natyrës dhe vjës së gjatë bregdetare në favor, njihet kryesisht për thithjen e turistëve familjarë të cilët ndikohen nga çmimet e lira dhe qetësia.