Greqia ashpërson tonet, Dendias “kërcënon” hapur Shqipërinë: Në BE vetëm nëse duam ne

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ka dhënë një mesazh të fortë ndaj Shqipërisë, edhe pse nuk e përmendi me emër, në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut, duke iu referuar rastit të arrestimit të Fredi Belerit, raporton.

Ky i fundit, edhe pse një personazh periferik, është futur në qendër të raporteve greko-shqiptare pasi u arrestua disa javë më parë në Himarë me akuzën e blerjes së votave.

Duke folur për “Kathimerini”, Dendias u shpreh se arrestimi i tij do të konsiderohej skandal në çdo shtet të BE-së dhe se “çdo shtet që aspiron BE-në në Ballkanin Perëndimor, duhet të respektojë edhe rregullat brenda unionit”, tha Dendias duke u shprehur se Greqia do të mbështesë shtetet e Ballkanit Perëndimor për në BE, vetëm nëse respektojnë rregullat që ka unioni.

Ky është një kërcënim i hapur ndaj Shqipërisë, e thënë më parë nga Ministria e Jashtme e Greqisë, por që tashmë përsëritet fortë edhe nga vetë Dendias.

Në prag të luftës me Turqinë

Ndërkohë, gjatë intervistës, Dendias zbuloi edhe një episod nga gushti i vitit 2020, duke theksuar se në ato kohë Greqia dhe Turqia ishin në prag të një konflikti të armatosur në Egje pasi turqit dërguan anijen e kërkimit të gazit Oruç Reis përmes ishujve.

“Në atë kohë mund të them se ishin në prag të luftës dhe për këtë jam informuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes, e cila na tha se shumë forca turke dhe greke ishin vendosur përballë dhe se mund të shpërthente nga momenti në moment”, tha Dendias.