Blejnë apartament në Tiranë, por mbeten jashtë se ishte shitur disa herë, denoncuesi: Kemi dhënë 45 mijë Euro

“Stop” ka shkuar në Astir për problemin e Vladimir Hysës, i cili në vitin 2012 bëri porosi një apartament në katin e dytë në pallatin që ndërtonte firma “Jon sh.p.k” me administratore Vjollca Hoxholli. Por në përfundim të pallatit, ky apartament u zu nga një tjetër person.

Denoncuesi Hysa tregon se duke qenë se punimet mbetën në gjysëm, ai investoi vetë në dyer, dritare e pllaka, që sot i gëzon dikush tjetër.

Denoncuesi: Ne në vitin 2012 kemi bërë kontratën dhe në vitin 2017 jemi likujduar komplet, i kemi dhënë Vjollcës para të thata, tek noterja Anila Kaçupi 45 mijë Euro. Jetonim në Gjermani, vinim, shikonim punimet. Më vonë, kur morëm vesh që burri i saj ka vdekur dhe Vjollcën e kishin arrestuar, u ktheva prapë në Shqipëri dhe e takova Vjollcën në gjykatë e i thashë që “më the se për 6 muaj do ta marrësh cerifikatën e shtëpisë, tani si shkon kjo punë. Më tha mua “ti punimet e hyrjes tënde do t’i bësh vetë”. Më dha çelësin e shtëpisë inxhineri, si derën e jashtme dhe të brendshme dhe fillova punimet. Këtu lashë vëllanë se unë jetoj në Gjermani dhe aq kohë kisha. Më vonë, në vitin 2021 kam ardhur prapë këtu. Bëra të gjitha dritaret, më kushtuan 1 mijë e 800 Euro. Pastaj porosita për ta vënë këtë të ballkonit kur më thanë se ma kanë shpërthyer derën. I pyeta se “kush”. Më tha “njëri që jeton këtu afër”. I thashë “po kush ja ka dhënë çelësin”. Më tha “se ja kanë dhënë njerëzit e vet”.

Me bashkëshortët Hysa, Vladimir dhe Valentina, “Stop” shkoi tek apartamenti ku Isufi, që e kishte marrë apartamentin ia ka shitur dikujt tjetër që jeton tashmë aty.

Gazetarja: Tani, nuk ju lënë që të hyni brenda. Ku po jetoni?

Denoncuesi: Unë po jetoj tek “Jordan Misja”, tek burgu, tek shtëpia e tim vëllai. U ktheva për të jetuar këtu. As paratë nuk po na i japin.

Denoncuesja: Ne e kemi blerë në momentin që ka qenë karabina, i kam të gjitha me fotot.

Gazetarja: A keni pasur ndonjëherë kontakt me këta këtu?

Denoncuesja: Jo, këto e kanë blerë. Punë me këta nuk kam, por me Isufin.

Më pas “Stop” ju drejtua Kadastrës, ku na u tha se për këtë apratament është bërë legalizimi dhe certifikimi në emër të zotit Isuf Koltraka nga Drejtoria Rajonale Rurale 2, në bazë të një kontrate porosie me “Gora shpk”.

Përfaqësuesja ligjore, e firmës, Alberta Gega, thotë se shkelja është bërë nga Kadastra dhe pronarët janë bashkëshortët Hysa.

Përfaqësuesja e “Jon sh.p.k”, Alberta Gega: Në këto kushte, ne si studio e kemi marrë përsipër për t’i dhënë zgjidhje. Ky apartament i është shitur Vladimir dhe bashkëshortes, familjes Hysa dhe Isuf Koltraka ka pasur një kontratë me shoqërinë “Gora” kur pallati nuk kishte filluar dhe ishte projektuar për ta ndërtuar shoqëria “Gora”. Kontratat e porosisë janë kontrata paraprake dhe prandaj ligji e ka bërë që kjo kontratë porosie i nënshtrohet kontratës përfundimtare dhe në kontratën përfundimtare shikohen të gjitha marrëdhëniet që kanë pasur palët nëpërmjet kësaj kontrate. Në rastin konkret, ASHK-ja, nuk ka marrë informacion tek shoqëria dhe nuk ka marrë opinion në shoqëri nëse ky Koltraka që ka këtë apartament sipas atyre të poseduar, por në fakt nuk e posedonte, por e kishte dhunuar apartamentin, ai sektor legalizimi, në momentin që i vjen kjo kontratë duhet të shikojë se kush është sipërmarrësi –“Gora”, po ti ja ke legalizuar objekti që ka ndërtuar Joni, ku lidhen këto të dyja bashkë? Si e ke likujduar vlerën e apartamentit, si e ka provuar ai që e ka të likujduar kur nuk ka as faturë tatimore, as mandat arkëtimi, as mandate bankare, asgjë. Në këto kushte, ne jo vetëm për të mbrojtur shoqërinë, por kemi marrë përsipër që të mbrojmë interesat dhe të këtij zotërisë, familjes Hysa sepse ndjejmë si detyrim që duhet ta sistemojmë./tvklan.al