Alabbar fillon shitjen e apartamenteve në Durrës, njeriu i Vuçiç dhe Lukashenkos shet ajrin pa leje ndërtimi dhe pa pronësi objektesh

Sheiku Mohamed Alabbar, themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR, i cili njihet edhe si mik i kryeministrit Edi Rama, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe atij bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për shkak se ka tentuar projekte të tilla si në Shqipëri, edhe në Bjellorusi dhe Serbi, ka nisur shitjen e apartamenteve për projektin “Yacht & Marina” në Durrës. Dje kompania “Eagle Hills Real Estate Development” njoftoi se më 16 qershor nisin zyrtarisht shitjet për godinën e katërt me apartamente. Godina e re për të cilën hapen ditën e premte (16 qershor) shitjet, është 7- katesh me pamje nga deti dhe 20 metra larg bregut të detit, ndërsa leja për ndërtimin e objektit pritet të merret në muajin shtator sipas agjentëve imobiliare. Kjo është godina e katërt për të cilën hapen zyrtarisht shitja e apartamenteve. Sipas agjentëve të zyrës së shitjes deri tani janë prenotuar blerjet për të gjitha apartamentet e 3 godinave, ndërsa leje e ndërtimit për to pritet të merret brenda këtij muaji. Pranë zyrës së shitjes së kompanisë “Eagle Hills Real Estate Development” u tha se çmimi minimal për apartamentet me sipërfaqe 70 m2 nis parashikohet të nisë nga 120,000 euro (rreth 1,715 euro për metër katror) me vendndodhje në katin e parë dhe të dytë të ndërtesës, por jo me pamje nga deti dhe çmimi maksimal në total për apartamentet me të njëjtën sipërfaqe banimi do të jetë 180,000 euro (rreth 2,570 euro për metër katror) me pamje nga deti apo nga pishina. Për apartamentet e shituara në 3 godinat e para 80% e blerësve janë vendas, ndërsa 20% të huaj.

Çmimet e apartamenteve

Ndërkohë, nga zyra e shitjes u nënvizua se çmimet e apartamenteve për 22 godinat e para, të parashikuara për t’u plotësuar tërësisht nga kërkesa vendase do të jenë më të ulëta se projektet e tjera ku parashikohet që t’u vihen në dispozicion të huajve me çmime më të larta. Edhe pse pronat në projektin e ri “Durrës Yacht & Marina” që pritet të zhvillohet, po shiten në ajër, kjo nuk ka penguar investitorët të rrisin çmimet e apartamenteve krahasuar me apartamentet e godinës së tretë apo me ato të publikuara nga planet e biznesit. Sipas komunikimit të mëparshëm me zyrën se shitjes, çmimet e apartamenteve për ndërtimin e tretë 9-katësh nisën nga 1,650 deri 2,800 euro për metër katror. Çmimi minimal ka pësuar rritje 4%, ndërsa në raport me çmimet e publikuara më herët nga planet e biznesit shtrenjtimi për vlerën minimale është 14%. Vijon e njëjta skemë pagese për totalin e vlerës së apartamentit, 40% e shumës paguhet para dhënies së lejes së ndërtimit Skema e pagesës për blerësit që prenotojnë apartamente, punimet e të cilave ende nuk kanë filluar, vijon të mbetet e njëjta referuar kontratës së “Marrëveshjes për pronotimin e interesit” që iu dha të interesuarve me 8 dhjetor 2022, kur kompania “Eagle Hills Real Estate Development” çeli zyrtarisht shitjet e apartamenteve për Durrës Yacht Marina. Nga komunikimet me zyrën e shitjeve pranë “Arena Center” u nënvizua se për prenotimin çdo blerës duhet të paguajë tarifën prej 1,200 eurosh. Tarifa e paguar nuk kthehet, por blerësit i llogaritet në këstin e fundit të pagesës. Pagesat për totalin e vlerës së apartamentit do të shlyhet nëpërmjet 7 kësteve. 3 prej këtyre kësteve apo 40% e vlerës së apartamentit do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit e ndarë në 20% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes; 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit. Konkretisht për ndërtimin e godinës së katërt leja e ndërtimit parashikohet të merret në muajin shtator, çka sipas zyrës së shitjes blerësi i interesuar duhet të përfundojë 3 këstet e vlerës së apartamentit të parashikuar në kontratë. Ndërkohë që për shitjet e përfunduara të 3 godinave të tjera, pritet që leja e ndërtimit të jepet brenda këtij muaji sipas kompanisë. Operatorët që zhvillojnë shërbimet portuale brenda portit të Durrësit u pyetën nëse janë transferuar dhe nëse kanë nisur përgatitjet për fillim të punimeve të godinave të projektit Durrës Yacht Marina dhe u pohua se nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar për zhvendosje të tyre. Sakaq pjesa tjetër e vlerës totale të apartamentit do të paguhet nëpërmjet 3 kësteve sipas skemës: 15% e vlerës para ose pas përfundimit të strukturës, 20% të çmimit do të paguhet para ose pas vendosjes së xhamave dhe 5% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitjes për transferimin e titullit të pronësisë së pronës. “Durrës Yacht & Marina” është një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku) dhe po zbaton projektin me status strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

Alabbar projekte edhe në Serbi dhe Bjellorusi

Ndërkohë kujtojmë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko janë të lidhur shumë ngushtë me kompaninë e njohur arabe. Është pikërisht Mohamed Alabbar, themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR. Në takimet e tij me liderët e këtyre vendeve ka premtuar ndryshime radikale në projektet që ka marrë përsipër të ndërtojë, ku flitet për shuma marramendëse dhe në pika strategjike për secilin vend. Por, se çfarë fshihet pas këtyre investimeve në Shqipëri, Serbi apo Bjellorusi, ende nuk është zbuluar, por nga projekti i dështuar në Serbi nga arabët, fundi mund të parashikohet shumë lehtë edhe për vendin tonë.

Si dështoi sheiku arab në Serbi?

Kjo kompani arabe tha se do të investonte 4 miliardë dollarë në ndërtimin e një lagjeje për të pasurit, buzë Danubit nën emërtimin “Belgrade Ëaterfront” dhe me të njëjtat deklarata si për Portin e Durrësit. Në bregun e lumit Sava në Beograd, arabët premtuan për shndërrimin e një zone të re në qendër të qytetit të mbushur me kulla, hotele me pesë yje dhe apartamente luksoze. “Një vështrim në ‘shakanë e keqe’ të Abu Dhabit: Projekti Ujor i Beogradit”, e titullon shkrimin “Forbes” në investigimin e saj në vitin 2016, i cili nxjerr në pah mashtrimin e madh të arabëve. Njësoj si me Portin e Durrësit, edhe në Serbi janë mbajtur sekret shumë detaje nga projekti. “Forbes” pretendon se nga ana e saj kompania Emaar, nuk investoi asnjëherë shumën e premtuar.

Simetria me Shqipërinë

Rasti i Serbisë është i ngjashëm me Shqipërinë. Kompania arabe ka thënë se do të investojë dy miliardë euro në Portin e Durrësit. Pra, e njëjta kompani, të njëjtat marrëveshje dhe hije dyshimi që rrethojnë gjithë situatën. Si në Beograd dhe Shqipëri janë përjashtuar nga prokurimi publik të gjitha kompanitë e tjera, të cilat mund të jepnin oferta edhe më të mira. Domethënë, kjo i jep qeverisë të drejtën të bëjë pazare me kompanitë nga Emiratet e Bashkuara pa asnjë kontroll dhe pa asnjë përgjegjësi ligjore, ndërkohë që asaj i falen 812 600.98 m2 tokë ose 81 hektarë, nga të cilat 54 mijë m2 , kompania i shfrytëzon për ndërtim, ndonëse ajo është tokë shtetërore

Futet në lojë dhe Bjellorusia

Gjithashtu, edhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko u takua me themeluesin e Emaar Properties Mohamed Ali Alabbar më 28 qershor. Biznesi arab po drejton një projekt edhe në Minsk, i vlerësuar në 4 miliardë dollarë. Projekti parashikon ndërtimin e kompleksit shumëfunksional të Ujit Verior brenda kufijve të Unazës së Minskut, Avenue Pobeditelei, Rrugës Orlovskaya dhe Rezervuarit Tsnyanskoye. Kompleksi do të përfshijë ndërtesa banimi me të gjithë infrastrukturën e nevojshme inxhinierike dhe transportuese, objekte të infrastrukturës sociale dhe objekte publike me një sipërfaqe totale prej më shumë se gjashtë milionë metra katrorë. Pra si përfundim, investime miliarda dollarë nga Arabaia, nga e njëjta kompani, por sinjalet e dështimit i dha në Serbi. A do e pësojë fatin e njëjtë dhe Shqipëria?