Mbytet anija në Greqi, 59 persona humbin jetën! Dhjetëra të zhdukur

59 emigrantë janë mbytur 75 kilometra në jugperëndim të Peloponezit të Greqisë. Autoritetet arritën që të shpëtonin 104 prej tyre, ndërsa numri i atyre që ishin në bord mendohet të ketë qenë mbi 400.

Të mbijetuarit u dërguan në Kalamata. Katër nga të mbijetuarit u shtruan menjëherë në spital me simptoma të hipotermisë. Në zonë ka nisur një operacion i madh kërkim-shpëtimi. Gjashtë anije të rojes bregdetare, një aeroplan ushtarak, një helikopter i forcave ajrore, disa anije private dhe një dron nga agjencia e mbrojtjes së kufijve të Bashkimit Evropian “Frontex”, janë vendosur në dispozcion për të gjetur të tjerë emigrantë.

Anija me destinacion Italinë ishte nisur nga zona e Tobruk e Libisë lindore. Roja bregdetare bëri të ditur se anija, e cila po lundronte për në Itali u pa për herë të parë në ujërat ndërkombëtare nga një helikopter i “Frontex” dhe dy anije aty pranë, rreth 47 milje në jugperëndim të qytetit të Pylos në Greqinë jugore.

Një varkë e “Frontex” i ofroi ndihmë emigrantëve pasi anija ishte plot dhe po mbytej. Por sipas mediave thuhet se emigrantët në bordin e varkës refuzuan ndihmën e ofruar pasi donin të vazhdonin udhëtimin për në Itali.

Sipas mediave greke një pjesë e madhe e emigrantëve që ishin në bordin e anijes ishin nga Afganistani, Pakistani, Siria dhe Palestina. Dëshmitë e disa prej të mbijetuarëve tregojnë se kontrabandistët identifikuan rojen bregdetare dhe ndryshuar kursin e anijes duke shkaktuar qëllimisht mbytjen e anijes.

Greqia është një nga rrugët kryesore për refugjatët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika. Shumica kalojnë në ishujt grekë nga Turqia e afërt, por një numër në rritje varkash gjithashtu ndërmarrin një udhëtim më të gjatë dhe më të rrezikshëm nga Turqia në Itali përmes Greqisë.

Klan News