Rama u tregua i përmbajtur, por presidenti i Shqipërisë Begaj reagon në mënyrë të ashpër për rrëmbimin e policëve

Ndryshe nga Kryeministri Rama që dje tha se po e pret fjalën e KFOR’it për rastin e tre policëve të kapur nga Serbia, Presidenti Begaj ka folur me fjalë të Kosovës. E ka dënuar ashpër rrëmbimin e tyre nga forcat serbe, e ka quajtur “akt të rëndë provokativ” dhe i ka kërkuar ndërkombëtarëve për të ndërhyrë. Rama sot njoftoi se KFOR’i me gjasë s’do të tregojë publikisht për vendndodhjen e incidentit.

Në reagimin e parë të bërë dje, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka evituar cilësimin e rastin për të cilin institucionet e Kosovës njoftuan se forcat serbe kanë hyrë brenda territorit të saj dhe kanë rrëmbyer tre policë të Kosovës. Serbia pretendon se ata kishin kaluar vijën kufitare dhe “janë arrestuar”. Por, Rama dje tha se po heshtte, sepse po priste një version të dhënë nga KFOR për ngjarjen e djeshme.

Por, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka dënuar ashpër sot rrëmbimin e tre policëve kosovarë nga autoritetet e Serbisë, duke iu referuar kësaj ngjarjeje, sipas versionit të institucioneve të Kosovës.

Ndryshe nga Kryeministri Edi Rama, Presidenti Begaj, me të kaluar ushtarake, e ka quajtur rrëmbimin e policëve “akt të rëndë provokativ” të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

“E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëjë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurarojnë veprime të tjera të ngjashme”, thuhet në deklaratën e Begajt.

Në fund të deklaratës, Begaj ia ka bërë një “thirrje vëllazërore” autoriteteve të Kosovës që të bijnë pre e provokimeve të Serbisë dhe të kontribuojnë në shtensionimin e situatës, duke u bashërenduar me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Rama sot ka dalë edhe me një reagim tjetër, duke mos e quajtur ngjarjen e djeshme as “rrëmbim” e as “arrestim”.

Ai shkroi se NATO-ja “me sa duket” nuk do të dalë me një konkluzion publik për vendndodhjen e policëve që u morën dje dhe se tani është e rëndësishme që ata të lirohen.

“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi! Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre”, thuhet në një nga postimet e sotme të Ramës. /Express/