“Rama ka marrëdhënie të ngushtë me Vuçiç”/ Profesori amerikan zbardh prapaskenat e forta: Ja pse SHBA ka qenë e butë me Serbinë

Profesori dhe analisti i Foreign Policy Edward P. Joseph ka folur në lidhje me analizën e bërë nga ai dy ditë më parë në lidhje me tensionet në veri të Kosovës.

Në një intervistë për Syri Tv, Joseph duke e shpjeguar situatën e vështirë që është krijuar për Kosovën në rang ndërkombëtar, mungesën e përkrahjes nga Shqipëria, ka theksuar se Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç kanë miqësi të ngushtë.

Sipas tij, SHBA-të kanë qenë të buta me Serbinë në lidhje me këtë situatë, por po shpreson që të ndryshojë gjatë konferencës së Antony Blinken.

“Shpjegimi është premisa e rreme, kuptimi i rremë i Presidentit Vuçiç dhe këtu bëhet shumë interesant me shikuesit tuaj, sepse sigurisht Shqipëria ka një rol këtu.

Shqipëria dhe Kryeministri Rama kanë me sa duket një marrëdhënie të ngushtë me Presidentin Vuçiç dhe mbështesin “Ballkanin e hapur”, që unë besoj se nuk është një projekt që do t’i sjellë stabilitet rajonit, por paqëndrueshmëri dhe shikojmë se kjo nuk ndodh vetëm me Kosovën, por edhe me Malin e Zi dhe me Bosnje Hercegovinën.

Ka shumë kundërshti ndaj “Ballkanit të Hapur” dhe dyshime të mëdha, jo thjesht prej Albin Kurtit dhe shumicës së shqiptarëve të Kosovës, por edhe prej boshnjakëve, prej kroatëve dhe prej malazezëve, të cilët, që të gjithë, shohin kërcënime prej Beogradit në personin e Aleksandër Vuçiçit.

Dhe ironia këtu qëndron në faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë me këtë qëndrim për t’iu qasur dhe për t’u përpjekur duke u mundur që ta bindin Presidentin Vuçiç të largohet prej Rusisë, kur vetë qytetarët serbë po protestojnë në numra masivë kundër Presidentit Vuçiç dhe klimës së dhunës që ai ka krijuar (sipas fjalëve të tyre, është gjuha e tyre, jo gjuha ime – është gjuha e qytetarëve serbë.)

Pra, kemi një ironi të madhe këtu ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të buta me një President të Serbisë, i cili, më e pakta ka dështuar të parandalojë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në 26 maj në Kosovë. Shpresoj që konferenca që do të mbahet prej Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, i cili vetë shpresoj do të hedhë një sy më të afërt ndaj këshillave që janë dhënë prej mbështetësve dhe do ta kuptojë mirë se përfituesit e kësaj qasjeje të keqkuptuar, se përfituesi i kësaj qasjeje është Vladimir Putin në Rusi,” tha profesori.

Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?

Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Një ditë më parë (14 qershor) në afërsi të Leposaviç, 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës u morën peng peng nga Forcat Speciale Serbe ‘Kobra’. Ngjarja ndodhi kur tre policët ishin duke patrulluar në kufi, në vendin e quajtur Tresave/ Bare.

Sipas Qeverisë së Kosovës, ky është një kundërpërgjigje për arrestimin 2 ditë më parë në Mitrovicën e Veriut, të serbit Millun Millenkoviç, një nga organizatorët e protestave të dhunshme në Veri. Serbia ka hedhur poshtë çdo pretendim. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.