E premtja e zezë në Shqipëri! Vdiq polici dhe babai i dy fëmijëve, 5 të plagosur

Këto janë pamjet e para, pak minuta pas një aksidenti të rëndë mes të dy automjeteve të regjistruar në aksin Lezhë-Shkodër ku si pasojë e përplasjes humbi jetën punonjësi i policisë, Gëzim Zhuka, 46 vjeç.

Punonjësi i policisë me vendbanim në Tiranë, ka qenë jashtë shërbimit në momentin e aksidentit. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve dhe stafit mjekësor për ta nxjerrë nga makina e tij.

Fillimisht ai u dërgua me urgjencë në spital, por për shkak të plagëve të marrë nuk mundi të mbijetojë. Shoferi i makinës që u përplas me efektivin, ka marrë dëmtime të lehta dhe mësohet së është jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht dyshimet e policisë janë se shkak i aksidentit të jetë bërë shkelja e rregullave të qarkullimit, megjithatë grupi hetimor është në pritje të ekspertizës zyrtare.

Por ky nuk ishte i vetmi aksident i rëndë i kësaj të premteje. Një 35 vjeçar, i identifikuar si Visar Meshi teksa lëvizte me automjetin e tij tip BMW X5 u përplas me trafikndarëset në aksin Tiranë-Durrës e për pasojë humbi jetën. Nga përplasja mbetën të plagosur dhe 2 pasagjerë në automjetin e tij./Tv Klan