Pak ditë pasi u liruan, “spiunët” rusë dalin sërish në terren, kapen duke fotografuar në Surrel afër shtëpisë së Edi Ramës

Rusja Svetlana Timofeeva dhe ukrainasi Fedir Alpatov janë konstatuar në datën 14 qershor në afërsi të Surrelit, pranë një reparti që nuk përdoret më dhe që nuk është nën ruajtje, vetëm disa ditë pasi janë liruar në masën “detyrim paraqitje” nga gjykata.

Antiterrori i ka marrë në pyetje në Komisariatin nr. 4 dhe sërish u janë gjetur foto të reparteve, të cilat sipas deklarimeve të tyre janë për shkak të pasionit që kanë për objekte të tilla dhe përdorimit të këtyre fotove për blogun e tyre. Rusja dhe ukrainasi janë lënë sërish të lirë, por rasti po mbahet në verifikim nga strukturat e policisë.

Të dyve nuk u lejohet të dalin nga territori vendit tonë. Ata, bashkë më Mikhail Zorin u kapën në Gramsh gushtin e vitit të shkuar pranë një uzine ushtarake. Zorin është në masën “arrest shtëpie”.

Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov, 25 vjeç mbahen në burg që prej datës 20 gusht, ditë kur dhe ndodhi incidenti në uzinën e Gramshit. Mikhail Zorin u konfiktua me 2 ushtarët shqiptar që e pikasën, Albi Bici dhe Ardian Xhaka, ndërsa Svetlana Timofoeva dhe ukrainasi po qëndronin në një makinë “Chevrolet camaro” me targa ukrainase AX 6200 IP.

Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim. Po si ndodhi ngjarja? Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë.

Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre u arrestuan nga policia, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus. Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.