E trishtë! Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur, një nga emrat më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare

Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare shkrimtari Naum Prifti,

një nga emrat më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Shkrimtari mësohet se është ndarë nga jeta në SHBA, ku jetonte prej vitesh.

Naum Prifti, novelisti, tregimtari, dramaturgu, skenaristi, kritiku, fabulisti, qëmtuesi i folklorit dhe mjeshtrit të shqipërimit, është një nga këto figura shumëdimensionale, që u rezistoi me dinjitet viteve të diktaturës dhe gjeti vendin e tij edhe pas saj.

TREGIMTAR DHE DRAMATURG

Pas botimeve të disa vëllimeve me tregime si: “Tregime të Fshatit” (1956), “Lëkura e Ujkut” (1958), “Çezma e Floririt” (1960), “Tregime” (1962), Naumi lëvroi dramën. Në vitin 1964 me dramën e tij “Rrethimi i Bardhë” u përurua hapja e teatri “Skampa” të Elbasanit.

Drama u vu njëkohësisht edhe nga trupa profesioniste e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Ndonëse u pëlqye shumë nga artistët dhe nga publiku, Enver Hoxha vërejti se grupit të gjeologëve të rrethuar nga bora në veri të vendit, nuk u erdhi në ndihmë aeroplani i dërguar nga autoritetet, por ata ia dalin mbanë vetë.

Enver Hoxha dështimin e hedhjes së ndihmës nga aeroplani e mori si sfidë për politikën e tij. Drama dhe vetë autori do kishin pasur fat tjetër nëse punëtorët e kantierit do brohorisnin “Parti-Enver”. Me intuitën e tij, në dramë Naumi kishte pohuar se partia që e mbante veten si detashmenti pararojë i klasës punëtore, qe larg saj shpirtërisht e fizikisht dhe se askush nuk e ka shfrytëzuar më egërsisht këtë klasë se të vetëquajturit përfaqësuesit e saj, udhëheqësit e partive komuniste në vendet ku kishin në dorë pushtetin, kujton Naum Prifti. Riedukimi ishte një nga pasojat e hidhura të “dramës së gabuar”, “Rrethimi i Bardhë” që do ta shoqëronte shkrimtarin për më shumë se dhjetë vjet.

Naumi kishte dhunti si dramaturg dhe repertori i tij në këtë gjini është shumë i pasur me vepra si “Mulliri i Kostë Bardhit” (1969), Plumbat e shkronjave” (1978), “Një verë e thatë”, “Zani-Partizani” (1981), “Lenini mes fëmijëve” (1981), “Luftëtari më i ri” (1981), komedia “Dasmë pa nuse” (1969), “Talent i rrallë” (1980). Naum Prifti është i vetmi autor, i cili ka parë një vepër të tij të vënë në të gjitha skenat e teatrove profesioniste të Shqipërisë. Me kërkesën e baletmaestros Agron Aliaj, Naum Prifti shkroi edhe një libret baleti me titullin “Bijtë e shqipes”. Libreti u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar në 1974.

SKENARIST I FILMAVE ARTISTIKË DHE VIZATIMORË

Mbi të gjitha, Naum Prifti shquhet në gjininë e tregimit. Lista e botimeve përshin vëllime si “Një pushkë më shumë” (1969), “Litar i zjarrtë” (1970), “Tregime të zgjedhura” (1972), “Njerëz të kësaj toke” (1975), “Njëqind vjet” (1983), “Tre vetë kapërcejnë malin” (1972), “Yjet ndritin lart” (2002), “As Miço, as Muço” (2003).