Vrau bab e bir në Elbasan, Olsi Leku ‘kyç gojën’ në Gjykatën e Posaçme

Olsi Leku allias Jorgo Leku nuk ka pranuar që të japë shpjegime gjatë përballjes me Gjykatën e Posaçme. 44-vjeçari u ekstradua 2 ditë më parë nga Greqia. Ai ndodhej i arrestuar në vendin fqinj prej 3 vitesh, për një tjetër çështje penale.

Gjykata e Posaçme i komunikoi masën e sigurimit “arrest në burg”, pasi dyshohet për vrasjen e ndodhur në 15 Gusht të 2012 në qytetin e Elbasanit. Krim që u mori jetën babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri.

Togat e zeza të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë e kanë dënuar Olsi Lekun me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir Beqirit. Çështja në ngarkim të tij dhe të bashkëpandehurve është në dyert e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Fillimisht, dosja e vrasjes së babë e bir po hetohej nga Prokuroria e Elbasanit, por më pas kaloi në SPAK, pasi të akuzuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.

Krimi i dyfishtë u zbulua pas arrestimit të Ervis Bardhit në 2018. Ai mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe rrëfeu të gjithë emrat e personave të përfshirë, nga urdhëruesit, organizatorët, ekzekutorët dhe vëzhguesit.

Sipas Bardhit, organizator dhe porositës janë Ardjan dhe Florenc Çapja të dënuar nga Shkalla e Parë, me burgim të përjetshëm. Ekzekutor është Bardhi dhe Olsi Leku, ndërsa vëzhgues Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani. Gjykata i ka dënuar me nga 25 vite burg.

Nezir e Gentian Beqiri u ekzekutuan brenda apartamentit të tyre.

Ky i fundit ishte paralizuar dhe hetohej në “arrest shtëpie” për një tjetër ngjarje. Ai dyshohej për vrasjen e Sokol Çapjas, krim i ndodhur në 2005.