Mbante pultin e televizorit në dorë/ Identifikohet viktima e aksidentit në Sauk

Identifikohet viktima e aksidentit që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë.

Viktima mësohet të jetë 83 vjeçari Enver Kasolli, banues në Tiranë, i cili vuante nga Alzhaimeri dhe rezultonte i humbur që një ditë më parë.

Në skemën e krijuar nga policia në vendngjarje, dyshohet se 83 vjeçari ka qenë duke ecur anës autostradës dhe është futur papritur në aksin ku ka shpeshtësi lëvizje automjetesh, si pasojë pas përplasjes, gjeti vdekjen e menjëhershme.

Policia dhe ambulanca u lajmëruan nga drejtuesi i motomjetit, por prania e tyre nuk arriti të shpëtonte viktimën.

I moshuari u gjet me pultin e televizorit në duar në çastet e fundit të jetës, teksa policia në njoftimin e parë për shtyp e cilësonte si shtetas të paidentifikuar, në mungesë të dokumenteve të identifikimit.

Kanë qenë të afërmit e tij, të cilët pas publikimit të lajmit në media kanë konfirmuar identitetin e Enver Kasollit tek uniformat blu.