Legalizimi i kanabisit mjekësor, Tabaku e cilëson hap pas në procesin e integrimit, Noka akuzon Ramën se po u bën qokën bandave

Qeveria miratoi të premten që shkoi projektligjin për legalizimin e kanabisit, teksa reagime kanë ardhur nga opozita. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e quan një hap pas në procesin e integrimit, ndërsa thekson se mazhoranca nuk e ka konsultuar projektligjin me ndërkombëtarët.

Sipas saj, nevoja aktuale është për një strategji kombëtare në luftën ndaj trafikut të drogës, dhe jo ligj për ta legalizuar atë. Deputetja demokrate shkruan se me këtë projektligj janë shkelur vijat e kuqe, pasi Shqipëria sipas saj renditet e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e kanabisit për periudhën 2016-2020. Për këtë arsye, Tabaku thekson se duhej një ‘luftë’ kundër kanabisit dhe jo legalizimi. “Miratimi i ligjit për Legalizimin e Kanabisit Mjekësor kur sot Shqipëria renditet e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e kanabisit për periudhën 2016-2020,

ka probleme me kontrollin e kufinjve është vend tranzit dhe burim i trafikimit te kanabis është një vijë e kuqe e shkelur qartësisht. Një hap pas në angazhimet ne procesin e integrimit. Askush nuk është kënaqur kur Shqipëria bënte lajm për avionët e drogës, as për trafikun ndërkombëtar të kanabis, as për pastrimin e parave nga droga! Askush, aq më tepër kur kjo kthehet temë debati në çdo Parlament e kur reflektohet më çdo raport! Prandaj sot duhet bërë një strategji kombëtare për luftën ndaj trafikimit të drogës e jo ligj për ta legalizuar atë”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale. Ndërkohë një reagim ka ardhur edhe nga deputeti i Rithemelimit, Flamur Noka.

Në një dalje për mediat, Noka u deklarua kundër projektligjit të qeverisë për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore dhe njëherësh i drejtohen me thirrje dhe deputetëve të mazhorancës për të mos e votuar në Kuvend. Madje legalizimin e kanabisit, Noka e shesh si një taksa që Rama u paguan bandave për zgjedhjet e vjedhura, apo shkon edhe më tej kur thotë që është një premtim që Rama i ka bërë George Soros. “Vendimi, që vjen menjëherë pas zgjedhjeve, fakton atë që Partia Demokratike e thotë çdo ditë me zë të lartë:

nuk ka pasur zgjedhje, por farsë. Këtë farsë e ka mundësuar pushteti në bashkëpunim të ngushtë me bandat e drogës. Legalizimi është taksa që Rama u paguan bandave për zgjedhjet e vjedhura. Ky është hapi i radhës në çimentimin e lidhjes së shtetit me krimin, shtetëzimi i aseteve kriminale dhe kriminalizimi i politikave shtetërore”, deklaroi Noka.