Shisnin kokainë me doza në zonën e plazhit, finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Periudha”, arrestohen 3 të rinjtë në Durrës

Tre persona janë vënë në pranga në sajë të operacionit të koduar “Periudha”, pasi vepronin si grup për të shitur doza të lëndës narkotike kokainë në zonën e plazhit në Durrës. Uniformat blu kanë arrestuar shtetasit me iniciale R.L., 21-vjeç dhe E.L., 19-vjeç (kushërinj), të dy banues në Arapaj, Durrës, si dhe shtetasin me iniciale E.M., , 22-vjeç, banues në Xhavzotaj, Durrës.

Dyshohet se të tre vepronin në formën e një grupi, me qëllim sigurimin dhe shitjen në doza të lëndës narkotike kokainë, në zonën e plazhit të Durrësit. Gjatë kontrolleve, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lëndë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike dhe 3 celularë.

“Në kuadër të intensifikimit të kontrolleve dhe aksioneve të Policisë në zonën bregdetare të qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe si rezultat i një hetimi njëmujor me metoda proaktive, të iniciuar nga Policia e Durrësit dhe të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Periudha”.

Në bazë të provave të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, kapën dhe vunë në pranga shtetasit R. L., 21 vjeç dhe E. L., 19 vjeç (kushërinj), të dy banues në Arapaj, Durrës, si dhe shtetasin E. M., 22 vjeç, banues në Xhavzotaj, Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 3 shtetas vepronin në formën e një grupi, me qëllim sigurimin dhe shitjen në doza, të lëndës narkotike kokainë, në zonën e plazhit të Durrësit. Gjatë kontrolleve, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lëndë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike dhe 3 celularë”, njoftoi dje policia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.