Pistat, heshtja dhe misteri/ Kush është e vërteta e vdekjes brenda kampit në Durrës?

Forca të shumta policie. Të gjitha nivelet nga policia vendore e Tiranës dhe Durrësit deri te FNSH dhe RENEA rrethuan në orët e para të mëngjesit të sotëm kampin “Ashraf 3” në Manëz. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku shkoi me urdhrin e gjykatës së Posaçme në dorë, e cila miratoi kërkesën e SPAK-ut për kontrolle. Dera u hap.

Rreth 30 makina policie, mes tyre blinda u futën brenda. Çfarë ndodhi brenda? Këtu futemi në pjesën e pretendimeve nga dy palët. Ajo që dihet zyrtarisht dhe që është fakt është që brenda kampit është një i vdekur. Por kur vdiq dhe rrethanat nuk dihen.

Anëtarët e kampit të MEK-ut bashkë me avokatin Gent Gjokutaj që mbron të drejtat e tyre akuzuan se ishte policia që ushtroi dhunë dhe hodhi gaz lotsjellës dhe si pasojë Ali Mostashari humbi jetën. Ministria e Brendshme e mohoi që të ketë pasur vdekje si pasojë e operacionit apo të plagosur.

Sipas Ministrisë së Brendshme, vendimi i strukturave të drejtësisë për të kontrolluan kampin e MEK është i justifikuar pasi muxhahedinët kanë shkelur marrëveshjen e nënshkruar në 2014 me shtetin shqiptar.

Policia e shtetit ka heshtur deri tani. Asnjë deklarim. I pranishëm në vendin e ngjarjes për të mbledhur provat ka qenë një grup i drejtuar nga prokurori Sokol Nishani. Të arrestuar nuk raportohet se ka. Madje nga pamjet e transmetuara u pa qartë që ishin anëtarët e MEK-ut nxorën policët përjashta rrethimit duke i zbuar.

Operacioni nisi nga policia me pretendimin se brenda kampit ishte krijuar një bazë që kryente sulme kibernetike. Janë sekuestruar kompjutera dhe materiale të tjera me vlerë për hetimet. Opozita dënoi aksionin duke akuzuar policinë për vdekjen e anëtarit të MEK-ut.