‘O të q***** motrën’/ 35-vjeçari u bllokua në ambulancë, plas sherri mes bluzave të bardha dhe policinë

Një autoambulancë e amortizuar dhe gati jashtë funksionit e Njësisë Shëndetësore të Orikumit, është kthyer në burim të një konfliti mes familjarëve të një personi dhe mjekëve në Spitalin e Vlorës. Një ditë më parë, 35-vjeçari Arbër Ferati ndërroi jetë si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike.

Atë e zuri korrenti teksa gjendej brenda autokombajnës, dhe ishte duke shkuar të punonte në toka. Tensioni i lartë i energjisë elektrike ka prekur automjetin, e për pasojë 35-vjeçari Arbër Ferati ka rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Mjekët janë shprehur se 35-vjeçari ka ndërruar jetë në vend, e megjithatë është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës, për një shans ndërhyrje dhe shpëtimin e jetës së të riut.

Por si ndodhi konflikti brenda ambientit të spitalit? Transporti i të ndjerit është kryer nga autoambulanca e njësisë Shëndetësore Orikum. Për fat të keq, me mbërritjen në hyrje të urgjencës së spitalit, ambulancës i është bllokuar dera. Tentativa për të hapur derën e autoambulancës ka zgjatur për disa minuta, dhe kjo ka sjellë irritim tek të afërmit e 35-vjeçarit.

Më tej kanë ndërhyrë mjekët dhe policia, ku situata ka degraduar në përdorimin e dhunës. Sikurse tregojnë pamjet, disa persona kanë marrë lëndime të lehta, mes tyre një efektiv i policisë dhe të afërm të 35-vjeçarit. Pas situatës së krijuar, policia ka shoqëruar në komisariat një prej familjarëve të Feratit.