Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin për sekuestrimin e afro 10 mln euro pasuri të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij

Gjykata e Lartë ka lënë dje në fuqi vendimin për sekuestron e pronave dhe pasurive të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj dhe familjarëve të tij. Gjykata rrëzoi rekursin e dorëzuesve,

Mustafe Martinaj, Vasilika Martinaj, Drenica Martinaj, Erjona Martinaj, Roberta Martinaj dhe Valentino Kaco. Pasuritë e sekuestruara, ku përfshihen, prona, sipërfaqë trualli, llogari bankare, automjete, aksione kompanish etj kapin shifrën e 10 milion eurove.

Kujtojmë se pronat u sekuestruan me kërkesë të SPAK dhe miratim të GJKKO dhe Apelit të Posaçëm. Familjarët kërkuan heqjen e sekestros ndaj shoqërive ‘King Kasino’, 50% të aksioneve dhe aseteve të shoqërisë “Alba Telecommunication”, shoqerisë “Mati Union”, shoqërisë “Martinaj E.M” sh.p.k, shoqërisë “Real Fenix”,

subjektit “Drenica Martinaj PF”, Subjektit “Valentino Kacorri PF”, shoqerisë S.P.E Energy” sh.p.k, 21% te aksioneve dhe aseteve te shoqëria “S.P.E. Gjader”, etj. Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi ankimimin e familjarëve të tij në më 20 mars, për sekuestrimin e 34 pasurive. Të shumëkërkuarit Martinaj, fati i të cilit është i paqartë që prej gushtit të vitit të kaluar, i janë sekuestruar 34 pasuri më 15 shkurt. Pjesa më e madhe e tyre ishte vënë në emër të prindërve, motrave dhe gruas.

34 pasuritë e ‘mbretit të kumarit’ Ervis Martinaj janë vënë nën sekuestro pas vendimit të GJKKO. Policia dhe SPAK kanë ekzekutuar vendimin për sekuestrimin e 34 pasurive të Martinaj dhe familjarëve të tij, pasi dyshohen se janë vënë përmes veprimtarisë kriminale. Kontrollet janë ushtruar në Kurbin e Fushë-Milot,

aty ku janë sekuestruar edhe pjesa më e madhe e pasurive, pasi kjo është edhe zona e cila kontrollohej nga Martinaj dhe ‘ushtarët’ e tij. Hetimi po vijon për të vërtetuar nëse Martinaj ka pasuri të fshehura apo të regjistruara në emra të miqve të tij.