Bilanc “katastrofik” i Shqipërisë në Arbitazhe, mbi 180 mln euro avokaturë dhe dëmshpërblime duhet të paguhen nga shteti, ja “faturat” e institucioneve tona

8.5 milion euro ka paguar qeveria shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për vitin 2022. Këto pagesa të bëra nga ministritë dhe institucionet shqiptare, kanë shkuar kryesisht për mbrojtje ligjore.

Ndërkohë fatura totale financiare që qeveria ka për të shlyer në këto gjykata duke përfshire edhe gjobat, shkon në 174 milionë euro. Gjobat ndaj Shqipërisë dhe kostot për mbrojtje ligjore në gjykatat ndërkombetare , e ka çuar faturën financiare të shtetit shqiptar për të shlyer 174 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paguar 198 milionë lekë për shërbime juridike dhe kosto të tjera ligjore për përfaqësimin dhe mbrojtjen e Shqipërisë në vendime të arbitrazhit ndërkombëtar. 79.2 milionë lekë ka paguar Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për shërbime juridike lidhur me procesin e anulimit të një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar.

Rreth 81.4 milionë lekë ka paguar Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për kostot ligjore dhe administrative të gjykatës lidhur me një vendim të arbitrazhit ndërkombëtar. Ndërsa 155 milionë lekë të tjera janë paguar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për përfaqësim ligjor dhe mbrojtje si dhe për kostot ligjore për procedurat e anulimit të vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar.

Pjesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitarzhit janë bërë edhe institucione të rëndësishme të vendit, përveç ministrive, si ARRSH, Autoriteti Portual Durrës, Agjencia Kombëtare e Ujësjellësit, Kanalizime, Agjencia Kombëtare, Burimeve Natyrore dhe Albpetrol. Para pak ditësh, Komisioni i Ligjeve kaloi draftin për ngritjen e gjykatave të reja të arbitrazhit. Megjithatë, vendimet në këto gjykata mund të rrëzohen në Apel.