Pas më shumë se tre vitesh, “gjendet” zemra e Saimir Sulës/ Spanja pranon të dorëzojë, por…

Autoritetet spanjolle duket se kanë pranuar t’i dorëzojnë Shqipërisë zemrën e 31-vjeçarit Saimir Sula i cili humbi jetën në një spital të Barcelonës në 20 maj të vitit 2020.

Gjykata e Hetimit nr.16 në Barcelonë, së fundi ka marrë një vendim të cilin ua ka përcjellë edhe autoriteteve shqiptare, ku kërkon informacione mbi mënyrën e transferimit të zemrës në Shqipëri.

Në vendimin e gjykatës spanjolle, konfirmohet se organi i zemrës, ndodhet në Institutin Kombëtar të Toksikologjisë dhe autorizohet ky institucion si pikë kontakti me Shqipërinë.

Gjykata kërkon që sa më shpejt të jetë e mundur, të njoftohen autoritetet mbi mënyrën e konservimit dhe mjetet e nevojshme teknike për të bërë transferimin në vendin pritës në Tiranë.

Në maj 2020, Saimir Sula, shkoi në spitalin del Mar në Barcelonë për një test PCR pasi kishte temperaturë, por nuk doli i gjallë më prej aty. Kur trupi i tij u riatdhesua, ekspertët e mjekësisë ligjore në Tiranë bënë zbulimin befasues se Saimirit i mungonte zemra. Familjarët e të riut paraqitën denoncim në prokurorinë e Tiranës për trafikim organesh.