Moti i keq godet Maqedoninë e Veriut

Në rajonin e Shkupit, moti i keq me reshje të dendura shiu nisi nga Komuna e Sarajit.

Shkarkimet elektrike, shira të rrëmbyeshëm, erëra të fuqishme, këto ishin pamjet që mbretëruan pasditen e së shtunës.

Në Shkup edhe pse shiu zgjati shumë pak, pas la dëme të mëdha.

Pemë të rrëzuar, makina të dëmtuar, rrugë të përmbytura e të bllokuara ishte bilanci i motit të keq.

Shira të rrëmbyeshëm pati edhe në rajonin e Tetovës. Pamjet nga rrjetet sociale tregojnë rrugë të përmbytura.

Drejtoria Hidrometereologjisë paralajmëroi se pasdite dhe në orët e mbrëmjes, do të ketë zhvillime të vranësirave me shi, breshër dhe erë të fortë.

Metereologët thonë se për shkak të energjisë së madhe të akumuluar në atmosferë, lokalisht proceset do të jenë në formë të motit të keq.

Përkeqësimi i motit, sipas metereologëve, është bërë për shkak të ndikimit të një mase të madhe të lagësht ajrore që vjen nga perëndimi dhe veriperëndimi. Gjatë fundjavës, sërish në shumë vende do të ketë mot të paqëndrueshëm.