Belinda Balluku përballë skandalit, amortizohet Bypassi i Vlorës, mungojnë shtresa e fundit e asfaltimit, sinjalistika dhe mbrojtja nga rënia e gurëve, ja si u katandis investimi 56 mln euro për një vit

Edhe pse një nga premtimet më të bujshme e më të zhurmshme të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste se do të lehtësonte trafikun e shtonte fluksin turistik, Bypassi i Vlorës ka rezultuar një dështim total. Sot, pas gati një viti, kur u përurua me spektakël të madh nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, ky projekt jo vetëm që nuk ka përfunduar, po ka amortizime serioze në një gjatë presj 29 km. “Faktoje.al” u mor gjerësisht me këtë çështje, duke iu drejtuar për përgjigje konkrete Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Vetë ky institucion pranoi hapur se ka ende shumë detaje të papërfunduara që duhet të mbyllen deri në marsin e vitit të ardhshëm. Me pak fjalë, afro 56 milionë euro të ofruara nga jashtë Shqipërisë (BE, BERZH, etj.) janë çuar dëm, duke ngritur dyshimet e mëdha se ky projekt është një akt i pastër korruptim i drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar. Ashtu si shumë projekte të mëdha infrastrukture në vend, si “Rruga e Kombit”, tuneli i Elbasanit, etj., jo vetëm që u zvarritën për vite me radhë, përkundrazi shtuan “faturën” në mënyrë të frikshme të kostove të ndërtimit të tyre. Të gjitha këto projekte u kaluan në heshtje nga drejtësia.

ARRSH pranon skandalin me Bypassin e Vlorës, shumë gjëra ende pa mbaruar

ARRSH u përgjigj për “Faktoje.al” se Bypassi i Vlorës ka mjaft punë për të mbaruar. Konkretisht, nuk janë ndërtuar kryqëzimet në km 9+100 m dhe 12+100 m në Kaninë, nuk kanë përfunduar shtresat asfaltime, s’është realizuar mbrojtja e shpateve dhe skarpateve nga rënia e gurëve, nuk është realizuar mbrojtja mjedisore. Po ashtu, një nga urat ka mbetur me pilota të ngritura, pa u vendosur tavani. Nga vëzhgimet e kryera, gjysma e rrugës së Bypassit nuk është asfaltuar me shtresa dhe s’ka sinjalistikë. I gjithë projekti në fjalë, ARRSH premton se do ta përfundojë në mars të vitit të ardhshëm.
ARRSH me 2 data të ndryshme për përfundimin e Bypassit të Vlorës

Megjithatë, duket se shteti shqiptar po sillet në mënyrë të çuditshme dhe me autoritetet ndërkombëtare. Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë u përgjigj për interesimin e “Faktoje.al” se shteti shqiptar e ka njoftuar se Bypassi i Vlorës do mbyllet në dhjetor të këtij viti. “Informacioni i fundit që kemi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), autoriteti zbatues, është se projekti pritet të përfundojë në dhjetor 2023.’, shkruhet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së.
Kostoja totale rreth 56 mln euro, punimet shtesë do t’i paguajë qeveria shqiptare

Për Bypassin e Vlorë është ofruar në total 56.16 milionë euro. Ato u dhanë ndarazi: 20.16 milionë euro u dhanë me grant, ndërsa 30 milionë të tjera si kredi nga Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim. Në këtë mënyrë, delegacioni i BE në vendin tonë pranoi hapur se kostot e punimeve shtesë nuk do të mbulohen nga ata vetë, por i takon të shlyhet nga shteti shqiptar. Kjo situatë ka ngjallur mjaft dyshime se për çfarë arsyeje një projekt i tillë duhej të përurohej para kohe (nga 2 herë në korrik 2022), dhe përse ARRSH, MIE apo dhe institucione të tjera nuk kanë raportuar më parë për degradimin e tij.