Ngjarja e rëndë në bregdetin shqiptar, del dëshmia e tragjedisë në Kavajë: Infermierët erdhën pa barelë…

Babai bashkë me dy djemtë e tij të mitur u mbytën sot në plazhin e Kavajës. Elvis Halilaj rreth 55 vjeç, me dy djemtë e mitur rreth 13 dhe 15 vjeç u mbytën teksa ishin në det.

Njëri nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes tregoi për gazetaren e Euronews Albania, Sara Demushi se viktimat u nxorën në breg nga pushuesit të cilët u përpoqën edhe të jepnin ndihmën e parë.

Ai u shpreh se ambulanca u vonua rreth 40 minuta dhe kur erdhi, infermierët nuk ishin të pajisur me barelë për t’i transportuar.

“Ndihma e parë e shpejtë po i jepej nga një djalë te lokali, nuk kishte, as polici asgjë. Vetëm njerëz të rastit kanë ndërhyrë për t’u ardhur në ndihmë, punonjës shteti asnjë. Infermierët erdhën pa barelë, u detyruam t’i merrnim në krah. Madje, ndihma e parë iu dha tek barishtet. Babai doli pa shenja jete, djemtë kishin më shumë gjasa të jetonin”, tregoi ai.