Dhuna ndaj vëllezërve Maja, eksperti bën deklaratën e fortë: Videon e publikuan vetë, pas përfshirjes në politikë…

Publikimi i videos gjatë dhunës së fisit Raja ndaj vëllezërve Maja pas denoncimit në polici të këtyre të fundit pasi punimet në gurore iu rrezikonin banesat, ka marrë përmasa gjigande duke sjell reagime dhe në opinionin publik.

Eksperti i kriminalistikës Artan Rexhepi ka komentuar dhunën barbare në Borizanë, Krujë ku fisi Rraja dhunoi me shkopinj bejsbolli dy kushërinjtë Maja pas denoncimeve për guroren, ku tha se problemi në këtë ngjarje është te arroganca dhe mesazhi që përcjellin këta personazhe.

Rexhepi shpjegon se përflitet që fisi Rraja të ketë shpërndarë vetë videon e dhunës, ndërsa pala tjetër ka denoncuar disa herë në polici për shqetësimin se po i dëmtoheshin banesat dhe se personat përgjegjës që nuk kanë bërë kallëzimet nuk duhet ta shohin më uniformën, ku citoi “se vetë politika ka ngarkesë në këtë histori”.

“Problemi është te mesazhi dhe arroganca që kishin ata njerëz që kryen rrahjen. Flitet se ata e kanë shpërndarë vetë videon e rrahjes. Fisi tjetër ka shkuar disa herë në polici dhe nuk i kanë marrë kallëzimet. Personat përgjegjës që nuk kanë bërë kallëzimin nuk duhet ta shohin më uniformën e policisë, madje edhe të hetohen. Duhet parë nëse ky fis ka pasur probleme para apo pasi një anëtar i tyre u bë pjesë e politikës. Duhet parë nëse reputacioni i tyre u rrit pas përfshirjes në politikë. Duhen rritur shumë filtrat e ingranimit të njerëzve në politikë.

Në komisariatin e Fushë Krujës ka enklava të krimit. Edhe policët janë njerëz dhe kanë meritë për intuitën. Urdhrat vijnë nga lart poshtë. Po këta policë kanë punuar në vitin 1997 mes plumbave për paga qesharake. Por politika vetë ka ngarkesë në këtë histori. Kur shikon lidhjet se dikush është djali i deputetit ai intimidohet”, tha ai gjatë një interviste televizive.