“Pasojat do jenë katastrofike”/ Rusia kërcënon: Nëse Ukraina dhe Suedia pranohen në NATO…

Moska ka reaguar me tone të ashpra, pasi anëtarët e NATO-s u mblodhën në Vilnius, ku po diskutohet anëtarësimi i Ukrainës dhe Suedisë në aleancë.

Rusia paralajmëroi “pasoja katastrofike” në Europë nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet, ndërsa ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, theksoi se vendi i tij po merr masat e duhura për t’iu përgjigjur anëtarësimi të Suedisë dhe Ukrainës në NATO. Udhëheqësit e NATO-s po përgatiten t’i japin Kievit një “mesazh pozitiv” në lidhje me perspektivat e tij të ardhshme për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

“Udhëheqësit europianë duket se nuk e kuptojnë se zgjerimi i NATO-s është një gabim,” tha të martën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Peskov, duke folur teksa filloi samiti i NATO-s në Vilnius, tha se ishte përparimi i aleancës ushtarake perëndimore në Europën qendrore dhe lindore që çoi në krizën aktuale mbi Ukrainën në radhë të parë. Moska e ka bërë të qartë se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes ishte një faktor kyç në vendimin e saj për të pushtuar Ukrainën gati 17 muaj më parë.

Të hënën, Kremlini njoftoi se nëse Ukraina do t’i bashkohej aleancës, kjo do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë dhe do të nxiste përgjigjen e qartë dhe vendimtare të Moskës.