Flet nëna e Gentjan Beqirit në gjyq: Çapjat më bënë hatanë. Etien Cani hapi derën dhe shtëpia u kthye në kasapanë

Zbardhet një prej dëshmive të dhëna në Gjykatën e Posaçme SPAK, në gjyqin kundër 6 të pandehurve Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Olsi Leku, Ervis Bardhi, Klajdi Dokoli dhe Etien Canin, të cilët janë akuzuar dhe dënuar për vrasjen e babë e bir, Gentjan dhe Nezir Beqiri.

Vendimi prej 205 faqe, i treshes së gjyqtarëve Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Erjon Bani, është zbardhur duke pasqyruar të gjithë kronologjinë e gjyqit.

Tre nga të pandehurit si Ardjan Çapja, Florec Çapja dhe Olsi Leku, u dënuar me burgim të përjetshëm, bashkëpuntori i prokurorisë Ervis Bardhi me 15 vite burgim, ndërsa me nga 25 vite burg secili u dënuan Klajdi Dokoli dhe Etien Cani.

Sipas prokurorisë ditën e ngjarjes Etien Cani dhe Klajdi Dokoli, mbikqyrën lëvizjet e mamasë së viktimës, Behijes, kur ajo doli të bënte pazar. Ndërkohë, siç ishte pas planifikuar më pare dhe financuar nga Çapjat, të pandehurit Ervis Bardhi dhe Olsi Leku, mbërritën në vendngjarje me autoveturën “Mercedes Benz”, të targuar me targat e vjedhura.

U ngjitën në banesën e viktimës Gentian Beqiri, në katin e pestë të pallatit. I ati i Gentit, Nezir Beqiri ndodhej ulur në një karrige në vendpushimin ndërmjet katit të pestë dhe katit të katërt, ku kishte dalë për ajrosje.

Të dy u ngjitën në katin ku banonte viktima dhe derën e banesës e gjetën të hapur. Shtynë derën dhe hynë brenda, ku i pandehuri Ervis Bardhi, e qëlloi tre herë me pistoletë Gentian Beqirin. Ndërkohë, i pandehuri Olsi Leku, zbriti tek i ati i viktimës, e mori atë me forcë dhe e futi në banesë, ku këtu e goditi me shqelma, grushta e mjete mbretëse dhe për pasojë i shkaktoi dhe atij vdekjen.

Nëna e të ndjerit Gentian Beqiri dhe bashkëshortja e të ndjerit Nezir Beqiri, Behije Arapi, është paraqitur në gjykatën e posaçme SPAK, e cila është pyetur në cilësinë e dëshmitares të ngjarjes.

Behija ka treguar në seancë gjyqësore se hatanë në familjen e saj, e kanë bërë Çapjat ndërsa siç e quan ajo kasapanën e ka bërë Ervis Bardhi dhe Etien Cani.

Në dëshminë e saj ajo tregon se: “…ngjarja po bën 9 vjet që ka ndodhur. Unë kam dalë nga shtëpia në orën 08:30 të mëngjesit, për të bërë pazaret. Lashë zotërinë në shtëpi, kurse çuni ishte në “arrest shtëpie”. Kur vi në shtëpi unë gjej kasapanën.

Kishin vrarë edhe burrin. E kishin vrarë për së gjalli. Kur ika i thashë: “Mirë të gjetsha!”, “Mirëardhsh…!-më tha”. Kurse çuni po flinte se ishte me “Arrest shtëpie”. Unë vajta, mora karrocën e dorës dhe vajta bëra pazaret. I bëra shpejt e shpejt, se e kam shtëpinë tek “Sporti i Vjetër” edhe pazaret i kam aty afër edhe nuk u vonova shumë, nja treçerek ore.

Arsyeja që unë i thashë Nezirit, t’a mbylli derën është se djali im Genti, ishte i akuzuar nga shteti se kishte vrarë Sokol Çapjan. Por djali im Genti, nuk e ka vrarë Sokol Çapjave, por është akuzuar kot. Duke qenë se djali im akuzohej për një vrasje, kisha frikë se do e vrisnin dhe për këtë arsye derën e shtëpisë e mbanim mbyllur dhe nuk i’a hapnim asnjërit pa e njohur. Megjithatë, nga familja e Çapjave, ka patur presione, të cilët i kam vënë re dhe unë. Ata kalonin me makina para pallatit dhe flisnin dhe shanin në drejtim të Gentit. Ai i njihte ata, ndërsa unë nuk i njihja.