Tirana kalon në turin e dytë në Ligën e Konferencës, Egnatia eliminohet nga penalltitë, Vllanzia fitoi por s’mjaftoi

Tirana e realizoi më në fund objektivin e saj për të kaluar në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, por nuk ia dolën disa skuadra të tjera shqiptare. Edhe pse shorti në fillim konsiderohej i mirë, duket se niveli i ekipeve tona vijon të jetë larg nivelit europian. Gjithsesi, Tirana bëhet skuadra e parë e Superiores tonë që kalon me sukses raundin e parë në kompeticionet e UEFA-s, e konkretisht në Ligën e Konferencës.

Pas dështimit të Partizanit në Champions, suksesi i Tiranës ishte një ngushëllim pas asaj paraqitje të dobët në tërësi të ekipeve shqiptare në aktivitetet europiane. Kështu, Tirana bën mrekullinë në Gjeorgji, fiton 1-2 ndaj Dinamos së Batumit dhe kualifikohet në raundin e dytë të Conference League, ku do të përballet Beshiktashin. Nënkampionët e Shqipërisë zhvilluan një ndeshje të madhe në transfertë, ndryshe nga performanca që dhuruan në “Air Albania”. Fillimisht shënoi Lushkja në minutën e 28-të, ndërsa në të 78-tën dyfishoi Deliu. Në limitet e kohës së rregullt vendësit shkurtuan diferencën në 1-2, por nuk mjaftoi për ta çuar sfidën në shtesë. Sa i takon lojës së zhvilluar, Tirana e dominoi atë duke vendosur mendjen në fushë, por edhe duke i zbatuar si duhet detyrat që i kishte ngarkuar trajneri Orges Shehi. Bardheblutë ishin entuziastë në lojën e tyre dhe me besim të madh se do ta fitonin ndeshjen. Dueli u zhbllokua në minutën e 28-të, Regi Lushkja mori një pasim nga Ardit Hila dhe goditi menjëherë, duke ndezur festën bardheblu në Gjeorgji. Në minutën e 78-të erdhi goli i dytë i bardhebluve nga këmbët e Deliut, i shërbyer me zgjuarsi nga Jonuzi. Pak sekonda para se të mbyllej koha e rregullt, Kapakadze ngushtoi diferencën në 1-2. Takimi i parë, në “Air Albania”, përfundoi në barazim 1-1.

Egnatia eliminohet nga “rulota” e penalltive

Egnatia u eliminua mbrëmë në mënyrë të dhimbshme nga Liga e Konferencës. Skuadra rrogozhinase kishte barazuar ndeshjen e parë me Ararat të Armenisë dhe shpresonte të shkonte në raundin tjetër. Por mbrëmë në “Elbasan Arena”, rrogozhinasit u eliminuan pas 120 minutash lojë dhe goditjes së penalltive. Ndeshja e rregullt përfundoi në barazim 2-2. Në kohën shtesë takimi rezultoi të ishte një “thriller”. U shënuan 4 gola, nga 2 për secilin ekip. Pra ndeshja përfundon 4-4 pas 120 minutash lojë. Në fund, pas goditjes së penalltive fitojnë armenët 4-2, të cilët shkojnë në raundin e dytë. Egnatia luante për herë të parë në Europë dhe mungesa e përvojës e penalizoi, por tregoi se nuk ishte rastësore fitimi i Kupës së Shqipërisë prej saj.

Vllaznia fiton por s’mjafton

Shkodranët pritën mbrëmë veriirlandezët e Linfield në stadiumin “Loro Boriçi”. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, por me një gol të anulluar për kuqeblutë. Në pjesën e dytë Vllaznia e trajnerit Memelli e nisi mirë, duke shënuar në minutën e 54-t me anë të Bekim Balajt. Me këtë gol mbyllet ndeshja, pra Vllaznia fitoi 1-0, por kjo nuk mjaftoi, pasi veriirlandezët kishin fituar ndeshjen e parë 3-1. Pra, Vllaznia eliminohet që në raundin e parë të Ligës së Konferencës. Rrjedhimisht Tirana bëhet ekipi i vetëm i Superiores që e kalon raundin e parë, të tjerët zhgënjejnë në turin tjetër do të jetë edhe Partizani, që zbret nga Champions në Conference League.