Euro në ‘greminë’, ekspertët ngrenë alarmin: Ekonomia informale solli monedhën europiane në situatë të rrezikshme

Euro shënoi pikën më të ulët në histori përballë lekut! Të martën e 18 korrikut një euro u këmbye me 100 lekë. Të gjitha monedhat e tjera të huaja panë gjithashtu rënie drastike, dhe kjo për faktin se Shqipëria ka si referencë monedhe të huaj pikërisht euron.

Pra, nëse euro bie do të bien edhe valutat e tjera, dhe e kundërta! Eksperti Zef Preçi thotë se situata është shqetësuese, ndërsa shprehet se vendi duhet të ketë një qasje të re kundrejt kursit të këmbimit!

Zef Preçi: “Unë i kam ndjekur raportimet e institucioneve zyrtare kryesisht bankës së Shqipërisë që është dhe përgjegjëse për politikën monetare. Po kështu, edhe raportimet e Ministrisë së Financave sa i takon problemeve fiskale. E vërteta është që rrënjët e çmimit, mbi-çmimit apo nën-çmimit të monedhës, pra të një monedhe kombëtare, apo të huaj dhe të fortë ndërkombëtare siç është euro, duhen kërkuar dhe të gjenden në mekanizmin e kërkesë – ofertës. Çka do të thotë që një monedhë, e cila është një mall si çdo mall tjetër, ka një çmim i cili kuotohet në treg. Dhe Shqipëria në ato arritjet e mira në këto 30 vitet e fundit është kursi luhatës, apo i lirë i këmbimit të monedhës tonë kombëtare lekut me monedhat e huaja”.

Igli Tola: “Absolutisht fenomen i këtyre luhatjeve unë do të thoja i muajve të fundit, pasi nuk është thjesh sezoni turistik që ka nxitur këtë zhvlerësim të të gjitha monedhave të referencës përkundrejt monedhës së lekut. Në gjykimin tim ky është një moment rrezikshmërie për stabilitetin ekonomik për vendin tonë, duke pasur parasysh që ekonomia jonë është një ekonomi e vogël, e hapur dhe në presionin e luhatshmërisë kaq të lartë që është probaliteti i rriskut, ku rrisku i kursit të këmbimit është një nga elementet bazë, ndikon në të gjithë zinxhirin dhe në të gjitha hallkat e tjera të ekonomisë. Për të folur më pas se sa dëm apo pasojash shkakton, duhet të flasim për aktorët ekonomikë një e nga një, ku normalisht ndër humbësit kryesorë janë ato sektorë që përbëjnë pjesën më të madhe të qarkullimit ekonomik në vendin tonë. Por forcimi i lekut ndaj monedhave të huaja, kryesisht asaj evropiane ndikon negativisht edhe në raportin apo bilancin tonë tregtar, pasi produktet dhe shërbimet tona shqiptare i bën më të shtrenjta në tregun ndërkombëtar. Pra kjo prek apo impakton negativisht edhe eksportet. Ndërkohë edhe në tregun vendas nuk është se po shikojmë një zbutje apo presion ekonomik negativ ndaj çmimeve, sa i përket importeve të produkteve vendase. Kjo edhe për shkak të problemeve që ne patëm nga kriza e luftës në Ukrainë, ku u panë problemet e mëdha me inflacionin e lartë, të cilat ende vijojnë të jenë prezente këto valë inflancioniste. Pra unë mendoj se problematika e shkaktuar nga kursi i këmbimit është një hallkë shtesë që i shtohet këtyre problemeve që ekonomia jonë ka”.

Sa i përket arsyeve të rënies drastike të monedhës së euros, ekspertët bien dakord njëzëri se ekonomia informale është një ndër arsyet kryesore të kësaj situate.

Selami Xhepa: “Pa asnjë dyshim që edhe zhvillimet makro-ekonomike që lidhen me fondamentet e ekonomisë, pra me burimet e sigurimit të të ardhurave nga ekonomia formale, sigurisht që kanë pasur zhvillimeve pozitivite, duke iu referuar të ardhurave nga eksportet, emigracioni, apo të ardhurave nga investimet e huaja. Apo edhe të një pjese që janë kryesisht ri-investime të kryera ndër vite dhe nga kjo pikëpamje efekti i tyre është edhe më modest. Por sidoqoftë një përmirësim i bilancit ekonomik të Shqipërisë, demonstron se detyrimet ndaj pjesës tjetër të botës janë në rënie. Çka nënkupton një presion mbi monedhën që është një vlerësim, ose thënë më mirë kjo demonstron zhbërjen e faktorëve të cilat diktojnë një pritshmëri për zhvlerësim të monedhës në të ardhmen. Por sidoqoftë, në përmasat që ka marrë në kursin e këmbimit unë mendoj se janë të ekzagjeruara, ose të pajustifikuara nga këto fondamente. Pra, një pjesë e rëndësishme e ofertës së monedhës kombëtare ndaj atyre të huaja mendoj se i dedikohet kryesisht kanaleve informale dhe zhvillimeve që po ndodhin në disa sektorë (të ekonomisë), kryesisht fjala vjen në tregun e pasurive të paluajtshme, ku çmimet e banesave apo të pasurive të paluajtshme demonstrojnë qartë që një pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti, por jo vetëm, financohet nga para të ardhura në mënyrë jo formale”.

Eksperti Zef Preçi tregon se kjo situatë ndikon direkt negativisht tek qytetarët!

Zef Preçi: “Në të njëjtën kohë, lëvizja në kahin e kundërt, pra mbi-çmimi i monedhës tonë kombëtare që është një fenomen i dukshëm këto 4-5 vitet e fundit shpjegohet me pompimin e parave me origjinë informale dhe kriminale në ekonominë tonë kombëtare. Kjo kryesisht përmes parave me origjinë kriminale. Kjo do të thotë se imazhi i një Shqipërie që po zhvillohet, disa miliona metra katrorë leje ndërtimit të dhëna në Tiranë, apo vende të tjera, ndihmojnë për të shtuar të ardhurat e bashkisë, shton disa vende pune, por deformojnë dukshëm tregjet, dhe ushqejnë të pasuruarit pa shumë punë, klanet kriminale të pastrojnë paratë e tyre, apo politikanët e korruptuar të shtojnë pasuritë e tyre”.

E ardhmja e euros në vendin tonë, duket se është e paqartë të paktën në këtë moment!

Ekspertët Selami Xhepa dhe Zef Preçi, shprehet se qeveria dhe autoritetet e tjera përfshirë Bankën e Shqipërisë, mund dhe duhet të ndërhyjnë kur situata po bëhet akoma më e rëndë, pasi ekonomia vendase po cënohet!

Për Xhepën, në kushtet kur vendi është vazhdimisht në stres sa i përket kursit të këmbimit, duhet të ndryshohet valuta .

Por, për ndryshimin e valutës kombëtare shprehet kundër eksperti i ekonomisë Igli Tola, i cili thotë se ka më shumë anë negative se sa positive.

Ndërkaq, eksperti Selami Xhepa ka edhe një këshillë sa i përket qytetarëve të cilët kanë depozita kursimi në euro, ky nuk është një moment i duhet për të marrë paratë e tyre!

Disa ditë më parë Banka e Shqipërisë u shpreh se nuk mund të ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor për shkak të kompetencave të saj, ndërkohë që institucionet shtetërore kanë thënë se kjo situatë lidhet me fuqizimin e ekonomisë vendase!