Luiza Gega dominon Kampionatin Ballkanik në Beograd, vjen edhe medalja e tretë e artë

Luiza Gega nuk është thjesht një atlete, ajo është një makineri shpejtësie që fiton vetëm medalje. Kudo ta çosh, Ballkanik, Europian apo më gjerë, ajo vetëm fiton. Medalje të arta dhe rezultate të qëndrueshme që i japin shumë krenari atletikës tonë dhe sportit tonë në tërësi. Në kampionatin Ballkanik që u zhvillua në fundjavë në Beograd, sportistja shqiptare i dominoi të gjitha garat ku mori pjesë dhe në tri garat e saj zuri vendin e parë, duke marrë tri medalje ari, si asnjëherë më parë në historinë e sportit tonë. Brenda në Beograd, Gega të shtunën mori dy medalje të arta, në 3 mijë metra me pengesa dhe 3 mijë metra normale. Kurse ditën e djeshme Gega shpërtheu edhe në garën e 5 mijë metrave, duke fituar medaljen e artë dhe duke shkaktuar bujë ndërkombëtare.

Gara e 5 mijë metrave

Kampionia kuqezi nuk u ndal me medaljet e marra të shtunën, pasi dje, në ditën e dytë të aktivitetit në Beograd, do të kompletonte tripletën e medaljeve të artave, rezultat që nuk e kishte arritur asnjë sportist tjetër në historinë e Kampionatit Ballkanik. Kështu Luiza u shpall kampione edhe në garën e 5000 metrave, duke fiksuar rezultatin 16:07.93, për ta ngjitur për herë të tretë flamurin shqiptar në shkallën më të lartë të podiumit në Serbi. Rezultate mbresëlënëse, të cilat janë shpërblimi më i mirë i punës së jashtëzakonshme të Luizës. Ndërkohë për sa i përket pjesës tjetër të Kombëtares kuqezi në këtë aktivitet, Shqipëria konkurroi gjithsej me 9 atletë, 5 djem dhe 4 vajza, por përveç Gegës, të tjetër nuk mundën që të linin gjurmë duke u bërë pjesë e zonës së medaljeve.

Gara e të shtunës

Të shtunën Luiza bëri dy gara të njëpasnjëshme, që janë në fakt edhe garat e saj të preferuara, pavarësisht se ora e zhvillimit të tyre nuk i përshtatej sportistes. Medalja e parë e Luiza Gegës në Ballkanik erdhi në mëngjesin e së shtunës, në disiplinën e saj të preferuar në 3000 metra me pengesa. Luiza fiksoi një kohë mjaft të mirë, për ta ndalur kronometrin në 9:21.53, duke e kaluar e shkëputur finishin, për të futur në kasafortë medaljen e parë të artë, e duke siguruar automatikisht kualifikimin për në Lojërat Olimpike të Parisit që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Vetëm disa orë më vonë do të vinte e arta e dytë, këtë herë në 3000 metra. Gega regjistroi kohën 9:21.48 për të fituar sërish e shkëputur, duke siguruar një tjetër vend të parë. Dy medalje ari në një ditë në një aktivitet që nuk është thjesht një kampionat Ballkanik, por shumë më tepër, pasi në Ballkaniada tani marrin pjesë mbi 20 shtete, pra është gati nivel europian.

Shpërblimi

Me tri medaljet e arta që Gega fitoi në Kampionatin Ballkanik, ajo ka siguruar edhe kapjen e shpërblimit përkatës. Siç dihet, me vendimin e ri të qeverisë dhe që pasqyrohet në ligjet përkatëse që burojnë nga VKM-ja, sportistët që fitojnë medalje në Kampionatin Ballkanik shpërblehen. Dhe Luiza si fituese e medaljeve të arta fiton shpërblim të trefishtë, pasi ka fituar medalje në tri disiplina të ndryshme. Një emër i spikatur që i meriton plotësisht shpërblimet që ja jep ligji.