Kontrabandë 2.8 milionë euro, sende me vlerë dhe 3.4 kg flori nga Franca, hetues francezë marrin në pyetje në SPAK ish-shoferin e Ardi Veliut dhe bashkëpunëtorët e tij

Një grup hetuesish francezë erdhën në Tiranë për të marrë pjesë vetë në procesin e marrjes në pyetje të të arrestuarve për rrjetin e kontrabandës së 2.8 milionë euro dhe 3.4 kg ar nga Franca.

Marrja në pyetje është bërë në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Sipas “TV Klan”, hetuesit francezë kërkuan të dhëna mbi rolin e gjithësecilit dhe njohjet që këta persona kanë me të tjerë shtetas të identifikuar në Francë. 4 ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të ndryshojë masat e sigurisë për 4 nga 12 e arrestuarit të operacionit të 14 qershorit ku u goditën 2 grupe kriminale që kontrabanduan 2.8 milionë euro, sende me vlerë dhe 3.4 kg ar nga Franca drejt Shqipërisë.

Trupa gjykuese vendosi që të ndryshojë masën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për Gentian Agën dhe Alid Shehi, kurse “detyrim paraqitje” u caktua për Vangjush Kashara dhe Tomorr Barutin. Nga ana tjetër, iu refuzua kërkesa për ndryshim mase arresti për Agustin Mesulin, Altin Doden, Florion Bakun, Sokol Idrizajn, Elda Idrizajn, Egi Idrizajn dhe Bora Idrizaj.

Sokol Idrizaj është ish-shoferi i drejtorit aktual të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu, kurse Elda Idrizaj është gruaja e tij. Po ashtu, Egi dhe Bora Idrizaj janë vajzat e tyre. Sipas akuzës, shumat e përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër mbi 724 mijë euro si transaksione bankare, pa përfshirë këtu shumat në “cash” rreth 2 milion euro dhe 35 mijë Franga. Përveç këtyre shumave monetare, personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg flori.