Brenda pak minutash vodhi dy makina dhe shkaktoi dy aksidente, policia ndjek në autostradë 32-vjeçarin! Çfarë ndodhi më pas

Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi brenda një harku të shkurtër kohor vodhi dy makina dhe shkaktoi dy aksidente. Sipas policisë, i riu dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Rasti i parë ka ndodhur në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve, ku fillimisht u raportua për një aksident, por pas verifikimeve rezultoi se 32 vjecari kishte vjedhur makinën dhe më pas kishte shkaktuar aksident, duke mbetur edhe i lënduar.

Ai u transportua në spital, ku pasi mori ndihmën mjekësore është larguar dhe në parkingun e spitalit ka vjedhur një tjetër automjet.

Gjatë tentativës për tu larguar, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi F. F., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera.

“Ditën e sotme, rreth orës 13:30, është marrë njoftim se te ish-Uzina e Autotraktorëve ka ndodhur një aksident. Shërbimet e Policisë si dhe të urgjencës, me marrjen e njoftimit, kanë kaluar menjëherë në vendngjarje dhe kanë dërguar në spital për ndihmë mjekësore një të dëmtuar nga aksidenti, shtetasin F. F., 32 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor.

Pas verifikimit të automjetit tip “Volksëagen”, të përfshirë në aksident, ka rezultuar se ky automjet, ishte vjedhur disa minuta më parë, në Fushë-Farkë.Shtetasi F. F., pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, pas disa minutash është larguar nga spitali. Në momentin që është larguar, në parkingun e spitalit, ka vjedhur një automjet tjetër tip “Ford”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të Komisariatit Nr. 4, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, janë vënë në ndjekje të tij.

Gjatë tentativës për tu larguar, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi F. F., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera”, thotë policia.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit F. F., 32 vjeç, dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.