Largohen temperaturat ekstreme, meterologia Lajda Porja tregon kthesën e madhe të motit duke filluar nga sot

Më në fund i themi lamtumire valës ekstreme të të nxehtit përvëlues. Sipas sinoptikanëve 24 orët e ardhshme do të jenë me temperatura deri në 35 gradë Celcius.

“Më në fund një masë e ftohtë me origjinë nga veriu i Europës ka arritur të depërtojë edhe në Ballkan duke sjellë rënie të temperaturave. Sot në fakt, temperatura më e ndjeshme rënia është në vlera maksimale ku do jemi jo më shumë se 35 gradë.

Ka një problem të theksuar me lagështirën. Është rritur lagështira në ajër dhe bën që ne ta ndjejmë zagushi dhe motin shumë keq, pasi lagështira bën që të nxehtin ta ndjejmë më shumë. Sot edhe nesër termometri do të jetë rreth kësaj vlere, madje nesër do të ketë një tjetër rënie”, tha sinoptikania Lajda Porja.

Pas shumë javësh thatësirë do të rikthehen edhe reshjet e shiut.

“Ka rrezik për reshje. Sot veriperëndimi Shkodra, Lezha dhe pothuajse gjithë veriu do të kenë rrebeshe, shira. Tirana, zona të izoluara të Durrësit. Megjithatë shirat do të jenë të përkohshëm sot edhe nesër. Nuk ka nevojë për panik dhe nuk presim të kemi stuhi çfarë ka ndodhur në Itali, Bosnje Hercegovinë apo Serbi”.

Fundjava risjell sërish kthjellimet, por me temperatura normale për Korrikun.

“Që nga dita e premte dhe fundjava risjell motin e kthjellët. Vranësirat do të jenë prezente. Mbetet kjo javë me temperatura jo më të larta se 35 gradë Celsius”.

Gjatë ditëve të të nxehtit përvëlues Elbasani dhe Berati ishin dy qarqet që për 13 ditë përjetuan temperatura rekord mbi 40 gradë Celcius.