Plumb në kokë! Dosja që arrestoi “kokat” dhe biznesmenin, lidhja me Martinajn (E plotë)

Prokuroria e Posaçme firmosi 15 urdhër-arreste për vrasje, nxjerrje të sekretit hetimor, shpërdorim detyre, etj. Mes të arrestuarve deri tani janë ish-shefi i Forcës Operacionale në policinë e shtetit, Oltion Bistri (lexo ketu), drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita, Astmer Bilali, Ardit Hasanbenga, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe Edmond Lika. Në kërkim janë Ervis Martinajt, i zhdukur një vit më parë, Elio Hato, që është miku i tij, por edhe Behar Bajri.

Pse u arrestua Oltion Bistri?
Ish-shefi i Forcës Operacionale është arrestuar mbi dyshimet se ka nxjerrë sekrete hetimore të dosjeve të nxehta që janë përfshirë grupet kriminale. Gjithashtu akuzohet për shpërdorim detyre pasi nga hetimi ka rezultuar se nuk ka raportuar për dijeninë që ka pasur (lexo ketu).

Ervis Martinaj dhe Elio Hato
“Mbreti” i basteve Ervis Martinaj dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Gjin Ndojit, të njohur edhe mbiemrin Boriçi në 2020 në Vaun e Dejës. Gjin Ndoji, 27-vjeç në vitin 2020 u qëllua me plumb në kokë dhe mbeti i vdekur në vend. Në banesat e Martinajt ka pasur kontrolle sa për procedurë, pasi nuk është gjetur asgjë (lexo ketu). Sali Berisha akuzoi se në këtë vrasje është përfshirë edhe biznesmeni Gjoka. Miku i Ervis Martinajt, Hato sipas prokurorisë, dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka tentuar që t’i bëjë atentat Ibrahim Licit, i arratisur në Turqi (lexo ketu).

Xhevahir Lita
Drejtuesi i prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dyshohet se ka mbyllur hetimet e dosjes për vrasjen e Gjin Ndojit duke u korruptuar. Prokurori dyshohet se është korruptuar përmes Hatos (lexo ketu).

Pëllumb Gjoka
Biznesmen i kazinove dhe i ndërtimeve në Velipojë është arrestuar në orët e para të ditës së sotme. Akuza zyrtare nuk dihet ende. Ish-kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar më herët për përfshirje në vrasjen e Gjin Ndojit, trafik droge dhe tjetërsim pronash në Velipojë. Gjoka është shpallur nga qeveria investitor strategjik (lexo ketu).

Fisi Bajri
Në orët e para të ditës së sotme forca të shumta policie zbarkuan në zonën ku banon fisi Bajri në Shkodër. Behar Bajri është shpallur në kërkim. Persona të tjerë janë shoqëruar, janë marrë në pyetje dhe më pas janë liruar (lexo ketu).

Ardit Hasanbenga
Ai ka qenë një zyrtar i lartë në policinë e shtetit. Në fund ishte në Berat, ku u përjashtua nga struktura pas zbulimit të serës me kanabis. Por më parë ka qenë në Shkodër, shef krimesh. Emri i tij del në dosjen e atentatit të Dorjan Dhulit dhe Ibrahim Licit, rival i Bajrave (lexo ketu).

Astmer Bilali
Ish-boksier i Vllaznisë, anëtar i bandës së Bajrave që disa vite më parë iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babai dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali. Ende nuk dihet akuza konkrete kundër tij