Iu nënshtrua operacionit pas një goditjeje cerebrale, ja si paraqitet gjendja shëndetësore e aktorit Genci Fuga

Aktori i njohur Genci Fuga, paraqet një gjendje shëndetësore të qëndrueshme, por ende kritike pas operacionit që iu nënshtrua të shtunën në mbrëmje pas një goditjeje cerebrale.

Mjekët po monitorojnë ecurinë e tij të paktën derisa të kalojnë 48 orë nga ndërhyrja që cilësohen edhe orët më të rrezikshme thonë miqtë e tij.

Pedagog në Universitetin e Arteve dhe aktor, Fuga pësoi goditje të shtunën ndërsa bashkëshortja e tij, aktorja e regjisorja Eni Jani, bëri thirrje publike në rrjetet sociale duke kërkuar ndihmë në mbledhjen e shumës prej 19 mijë eurosh të nevojshme për ndërhyrjen në një spital privat.

Në një kohë rekord, brenda pak orësh nga apeli i bërë nga Eni Jani, shuma e kërkuar u sigurua madje u mblodhën 43 mijë nga dhurimet përmes aplikacionit gofundme. Rreth 1200 qytetarë kontribuuan për shërimin e Fugës, mes të cilëve artistë, kolegë aktorë dhe personazhe publike në shuma të ndryshme.

Po atë mbrëmje aktorja Eni Jani njoftoi mbledhjen e shumës ndërsa falënderoi miqtë e publikun për mbështetjen dhe ndihmën monetare e po ashtu mjekët që kryen operacionin.