“Kapërcejnë” çmimet e banesave në Tiranë, ekperti i pasurive të paluajtshme tregon zonat ku mund të blini më lirë apartamente

Eksperti i pasurive të paluajtshme, Gjergji Bega deklaroi për një intervistë televizive se çmimet e apartamenteve brenda unazës së vogël dhe të madhe të Tiranës janë mbi 1 mijë euro metri katror.

Ai tregoi se poshtë këtij çmimi mund të blihen vetëm apartamente që ndodhen disa kilometra larg Tiranës.

“Tirana sot është e ndarë me unaza, është unaza e vogël, që është qendra, që kalon nga 9-katëshet deri te Muzeu Kombëtar, e cila është zonë shumë e shtrenjtë me 3 mijë euro metri katrorë ndërsa dyqanet deri në 10 mijë euro. Nën 1 mijë euro mund të gjesh vetëm jashtë unazës, madje jashtë unazës së madhe, jashtë Astirit. Aktualisht po ndërtohet një kompleks 5 km larg Tiranës ku mund të kapet me 750 euro metri katror. Edhe Fresku, që dikur kishte çmime më të pranueshme, edhe aty po rriten, rrallë mund të gjesh nën 1 mijë euro”, tregoi eksperti.