Niko Peleshi i zhytur në afera, ministri i Mbrojtjes i nxjerr bojën ushtrisë së NATO, trupat ushtarake në repartin e Zall Herr kthehen në kultivues droge

Ushtria shqiptare është përfshirë nga një skandal i rëndë, ku një nga bazat më të rëndësishme është shndërruar në plantacion për kultivimin e kanabisit. Në zonën e sigurisë së lartë në bazën e Zall Herrit janë gjetur të kultivuara 125 rrënjë kanabisi. Për këtë rast kultivimi, janë arrestuar 3 ushtarakë, ndërsa 4 të tjerë po procedohen penalisht. Ky rast kultivimi droge vë në pikëpyetje seriozitetin dhe sigurinë e Ushtrisë Shqiptare, si një vend anëtar i NATO-s dhe rolin e qeverisë në këtë mes, ku ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nuk mund ta kalojë këtë skandal me një deklaratë të thjesht shtypi.

Detajet

Gjatë operacionit të koduar “Fokus”, ranë në pranga 3 punonjës të repartit ushtarak, e përkatësisht shtetasit: Gramoz Mullai, Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, me detyrë Specialist Sigurie. Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë me detyra Specialist Infrasktrukture; Zv/Komandant toge; magazinier; dhe Komandant Reparti. Ngjarja e të shtunës ka përfshirë Forcat e Armtosura të Shqipërisë në një skandal të paprecedent për një ushtri të një vendi të NATO-s. Reparti Ushtarak i Zall Herrit, konsiderohej si një nga zonat më të sigurta në Republikën e Shqipërisë. Ajo shërben si bazë për stërvitjen e forcave elitë të Ushtrisë Shqiptare siç janë Forcat Komando, si forcat më speciale të përgatitura për aksionet anti-terror, të sigurisë territoriale, ndihmave humanitare apo përgjigjeve ndaj ndërhyrjeve në zona të riskut në botë kur kërkohet nga Aelanca EuroAtlantike. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi largoi përgjegjësitë pas këtij skandali te jashtëzakonshëm por reagimi i opozitës politike të vendit ishte mjaft i ashpër. Opozita deklaroi se ky skandal implikon thellë dhe me përgjegjësi të rëndë ministrin Peleshi, shtabin e përgjithshëm, zbulimin, policinë ushtarake, shërbimet inteligjente të ushtrisë dhe komandën e repartit të trupave speciale të Zall Herrit. Gjithashtu opozita e cilësoi ngjarjen skandal të turpshëm për ushtrinë, por dhe shtetin shqiptar dhe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministrit te mbrojtjes Peleshi si dhe vendosjen para ligjit të gjithë përgjegjësve të këtij akti kriminal.

Skandali i kanabisit në ushtri, reagon Balla

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha dje se operacioni ku u gjetën 125 bimë kanabis sativa në repartin ushtarak të Zall Herrit është zhvilluar në bashkëpunim me policinë ushtarake. Balla u shpreh se në këtë operacion janë angazhuar mbi 6000 punonjës policie, ndërsa paralajmëroi se aksioni do të vazhdojë. Dua t’ju bëj me dije se në rastin e operacionit që ne kemi ndërmarrë kundër kultivimit të lëndëve narkotike, rasti në fjali kemi pasur bashkëpunim edhe me policinë ushtarake. Në atë koordinatë kemi vepruar të dyja edhe policia e shtetit dhe edhe policia ushtarake. Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi rezultate të mira në këtë megaoperacion ku janë përfshirë 6000 forca të policisë së shtetit edhe policisë ushtarake. Puna vazhdon”, tha Balla.

Gazetari paralajmëron telashe për Peleshin

Ditën e djeshme Gazetari Lavdrim Lita tha se kjo ngjarje e vendos në pozita shumë të vështira ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi. “Nga ana politike, Ministri i Mbrojtjes nuk mund ta kaloj kaq lehtë, se nëse në rastin e ruajtjes së repartit të Gramshit doli disa herë në media, për të marrë meritat, këtë rast nuk mund ta kalojë me një deklaratë të thatë shtypi. Sidomos kur ai është në syrin e Ciklonit për akuza të tjera që lidhen me inceneratorët, me bursat e studimit në ushtri. Këto janë probleme të tjera që janë ngritur ndaj zotit Peleshi. Ministria është një ministri të cilës nuk i kanë munguar problemet dhe akuzat ndaj saj”, tha gazetari Lavdrim Lita.