Skandali me drogën e mbjellë brenda repartit ushtarak të Zall-Herrit, Shtabi i Përgjithshëm i FA shkarkon nga detyra 4 ushtarakë, propozon lirimin për 10 të tjerë

Skandali me zbulimin e 125 bimëve kanabisi brenda repartit ushtarak të Zall Herrit ka vënë në lëvizje Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në një mbledhje të posaçme të ditës së djeshme, u vendos shkarkimi nga detyra i 4 zyrtarëve të repartit që po procedohen lidhur me skandalin e fundit në radhët e ushtrisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Nga ana tjetër, në mbledhje u propozua dhe shkarkimi për 10 ushtarakë të tjerë që kanë detyra të posaçme në këtë repart. Kjo gjë pritet të vendoset në ditët në vijim. Ngjarja në fjalë ka lëkundur jo pak kredibilitetin ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, komandës ushtarake shqiptarëve dhe pjesëtarëve të saj. Pavarësisht se qeveria ka premtuar rritje të pagave për FA dhe të numrit të rekrutëve që duan të kontribuojnë për rendin, sigurinë dhe paqen brenda e jashtë Shqipërisë, ky skandal përbën një goditje të rëndë jo vetëm për ushtrinë tonë, por dhe për vetë shtetin.

Kush janë të shkarkuarit dhe të arrestuarit?

Konkretisht, u vendos shkarkimi i A. J., 41 vjeç, Specialist Infrastrukture; P. H., 52 vjeç, Zv/Komandant toge; I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier dhe P. D., 57 vjeç, Komandant Reparti. Shtabi i Përgjithshëm i FA propozoi gjithashtu lirimin nga detyra për 10 ushtarakë, 6 të Forcave Tokësore dhe 4 të tjerë të Policisë Ushtarake. Në këtë mënyrë, ky organ i lartë i FA kërkon shkrirjen e zinxhirit komandues të bazës ushtarake të Zall-Herrit. Të arrestuar të operacionit “Fokus” janë: Gramoz Mullai, 52 vjeç, Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç, Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, Specialist Sigurie.

Hetimi, droga u zbulua nga Guardia Di Finanza

Lënda narkotike ishte mbjellë brenda zonës ku është vendosur batalioni i mbështetjes së luftimit. Ajo u zbulua nga mbikëqyrjet me helikopter të Guardia Di Finanzas. Sipas përllogaritjeve, 125 bimë kanabisi ishin mbjellë që në muajin maj dhe kishin arritur gjatësinë 50 cm, gati për korrje dhe përpunim. Të arrestuarit deklaruan në seancën paraprake gjyqësore se reparti ushtarak i Zall-Herrit ka sipërfaqe prej 140 hektarësh, duke mos pasur mundësi për ta kontrolluar të gjithë hapësirën tokësore dhe se për territorin e thyer e të vështirë kanë njoftuar eprorët e tyre.

Vrau inxhinierin për çështje prone, Meta me lidhje familjare në shtet, ja detajet

U raportuan në media detaje të reja nga hetimi për vrasjen e inxhinierit të ndërtimit Armando Meshau nga punonjësi i doganës, Rei Meta. Mediat zbuluan se 33-vjeçari ka familjarë të punësuar në institucionet më të larta të shtetit shqiptar. Përveç nënës së tij, Nurihan Meta, e cila ushtron detyrën e anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, babai i tij Hazis Meta kryen funksionin e Shefit të Sektorit Juridik në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Ai rezulton të jetë emëruar në këtë detyrë pasi gruaja e tij u zgjodh në KLP. Santeliana Meta, motra e doganierit të arrestuar aktualisht është shefe sektori në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa deri në 1 janar 2020 ka qenë në Ministrinë e Brendshme. Në këtë institucion, ajo ka punuar me xhaxhain e saj. Autori Rei Meta kryente detyrën e Përgjegjësit në Grupin e Inspektorëve të Kontrollit Fizik në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Por, nga ana tjetër, ai vepronte dhe si sekser pronash e ndërtimesh prej 4-5 vitesh. Ai e kishte të lehtë të ndërhynte në organet e drejtësisë në Vlorë, Sarandë, Durrës e Tiranë. Deri më tani, grupo hetimor dyshon se Meta përdorte emrin dhe reputacionin e të ëmës si dhe të kontaktet familjare në shtet për të zgjidhur problemet e banesave, ndërtimeve dhe pronave. Për sa i përket ngjarjes së rëndë të ditës së hënë, rezulton se viktima ndërroi jetë pasi u godit pas koke me grushte nga 33-vjeçari. Ky i fundit refuzoi të kishte për qëllim vrasjen e 55-vjeçarit Meshau. Palët njiheshin mes tyre pasi po bashkëpunonin për blerjen e një prone. Deri më tani, prokuroria e Vlorës nuk ka klasifikuar veprën penale për të cilën do të gjykohet doganieri.