Sërish protestë për guroret, banorët e Fierzës në Tropojë bllokojnë rrugën dhe kërkojnë ndërprerjen e punimeve

Banorët e njësisë Administrative Fierzë në Tropojë janë ngritur sërish në protestë duke bllokuar edhe aksin nacional Fierzë-Sheshi Trageteve-Bajram Curri.

Bllokimi i rrugës ka ardhur për shkak të kërkesave të banorëve që kanë ndaj institucioneve për të bllokuar punën në guroret dhe ndalimin e ndërtimit të një fabrike bitumi që po ndërtohet anës këtij aksi.

Banorët kanë ngritur pretendimet se këto subjekte po shkatërrojnë habitatin natyror të bjeshkëve, turizmin malor, ndotjen e ujit të pijshëm dhe vështirësojnë jetesën e tyte.

Kjo protestë pason një sërë protestash të tjera që kanë bërë banorët, deri më tani zëri i tyre nuk është dëgjuar. Ata pretendojnë se aktiviteti i guroreve dhe fabrikës së bitumit nuk ka asnjë dokumentacion ligjor.

Bllokimi i rrugës ka sjellë radhë automjetesh, të bllokuar kanë ngelur edhe punonjësit e Hecit të Fierzës, të cilët po udhëtonin në këtë aks nga Bajram Curri në Fierzë.