Një punonjës policie është goditur me thikë pasi ka ndërhyrë për të ndaluar një konflikt fizik mes disa personave në fshatin Pilur të Himarës.
Ngjarja është shënuar rreth orës 23:00 të 15 gushtit 2023, tek kthesa e fshatit.
Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i policisë Redin Caushaj, 28 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, njëri prej tyre, shtetasi Thodhori Mërkuri 60 vjeç, nga fshati Pilur, e ka goditur me mjet prerës thikë dhe për pasojë punonjësi i policisë ka mbetur i plagosur rëndë. Gjendja e tij shëndetësore raportohet se është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por me dëmtime.
Shtetasi Thodhori Mërkuri pasi ka goditur punonjësin e policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira. Në ndjekje të tij janë vënë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, grupe të FNSH dhe të forcave operacionale të DVP Vlorë.
Ndërkohë është ngritur grupi hetimor dhe vijon punën për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.