Zbulohet dedikimi i Perandorit Justinian për Dardaninë, dëshmi e rëndësishme historike

Një zbulim që formëson historinë, një dedikim i fuqishëm nga Perandori Justinian është zbuluar në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana, të Kosovës.

Ekipi i arkeologëve në përbërjen e të cilit ishin edhe Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha, gjatë hulumtimeve shkencore zbuloi një mbishkrim monumental, me rëndësi të jashtëzakonshme historike, nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, një qytet në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s.) dhe i kishës së tij.

Mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë dhe vërteton afërsinë e perandorit ndaj provincës së origjinës. Kisha paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme Romake dhe perandorëve më të rëndësishëm.

Filmat kosovarë në festivalin e Sarajevës

Profesori i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Tahir Latifi, e ka quajtur të jashtëzakonshëm zbulimin e mbishkrimit të përandorit Justinian në parkun arkeologjik “Ulpiana”.

“Përmendja e Justinianit të Madh dhe gruas së tij Theodora si themelues të qytetit dhe dedikues të kishave gjigante në qytetin e Dardanisë, Justiniana Secunda, paraqesin dëshmi të rëndësishme historike, duke sjell kësisoj evidenca të reja për historiografinë”, ka shkruar profesori në një postim në rrjetet sociale. “Ndërsa Justiniani i Madh (527-565), përmes këtij mbishkrimi, na dëshmon se ka ruajtur lidhjet me vendin e tij të origjinës, Dardaninë”, vijon ai.

Zbulimit po i bëhet jehonë nga vizitorë të rëndësishëm që kanë vërshuar këto ditë aty. Aktualisht në parkun arkelogjik të Dardanisë kanë zbarkuar figura të larta të politikës dhe diplomacisë të akredituar në Kosovë.